Deputetët e Lidhjes Demokratike së Kosovës Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj janë takuar me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përcjell InLajmi.
Hoti u shpreh se gjatë këtij takimi diskutuan për sfidat që po kalon Republika e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Në vijim ai gjithashtu tha se e vetmja rrugë që garanton diçka të mirë për proceset e Kosovës është bashkëpunimi me SHBA.
Postimi i plotë i tij:
Sot, bashkë me kolegun deputet Driton Selmanaj, ishim të nderuar ta takonim përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor z. Gabriel Escobar.
Takimin e karakterizuan biseda të hapura dhe të sinqerta me theks të veçantë për sfidat që po kalon Republika e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
Bashkëpunimi shumë i ngushtë me SHBA-të, është rruga e vetme që garanton epilog të mirë të secilit proces për Kosovën.
Kosova dhe shqiptarët janë të bekuar me miqësinë që kemi me SHBA-të. / InLajmi /