Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se kanë nisur për herë të parë shkollën politike “Ibrahim Rugova”, përcjell InLajmi.
Abdixhiku njoftoi se për gjatë 10 fundjavave në vijim, pjesëmarrësit në këtë shkollë do të kenë mundësinë që të mësojnë për të djathtën, rugovizmin, për vlerat e Republikës së Kosovës si edhe aspekte të tjera të politikës në përgjithësi.
Kryetari i LDK u shpreh se momentalisht janë regjistruar 20 pjesëtarë në këtë shkollë. / InLajmi/
Postimi i plotë i tij:
Shkolla Politike ‘Ibrahim Rugova’ nisi sot!
Me të dhe gjenerata e parë.
Anila, Ardiani, Arnesa, Bahtiri, Blendiana, Dëbora, Dioni, Driada, Durimi, Ergini, Fortesa, Herolinda, Ilirjada, Laura, Leoni, Melosi, Orinesi, Premtoni, Rilindi e Vlera; janë të 20 studentët e parë të klasës së parë, të gjeneratës së parë, të Shkollës Politike ‘Ibrahim Rugova’.
I takuam, së bashku me ligjeruesit tanë, dhe u uruam mirëseardhje; në ambientet e Shkollës, në Selinë Qendrore të LDK-së.
Ata, mes nesh, përgjatë 10 vikendeve të ardhshme, do të mësojnë për të djathtën, rugovizmin, për vlerat shtetare e identitare të Republikës; për Kushtetutën, organizimin partiak, kampanjat zgjedhore e vet komunikimin me publik.
Të 20-tit, kryesisht rreth të 20-ave, ishin studentë të shkëlqyer; flisnin së paku dy gjuhë të huaja, e kishin pëplot kurreshtje për politikën dhe vet të ardhmen e vendit.
E ardhmja është e ndritshme! / InLajmi/