Ish-kryeministri Isa Mustafa, beson që partitë opozitare e kanë parë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dokument ky i prezantuar në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.
Ish-kreu i LDK-së u shpreh i bindur se nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka konsultuar draftin sikurse edhe të gjithë krerët e opozitës që ishin në takim, duke shtuar se përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur arsyeje që dikujt të ia prezantojë dokumentin e dikujt jo.
Sipas tij, çdo ndryshim e plotësim i bërë sa i përket draftit të Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Marrëveshje personale nuk ka, ka nënshkrim personal sepse marrëveshja e viti 2015 është ajo që siguron që statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e mira e asaj marrëveshje është që një gjë të tillë e ka pranuar Serbia, ka pranuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, vlerësimi i statutit jo vetëm në fazën e prurjes së tij, por edhe në të gjitha ndryshimet dhe plotësimeve ato duhet të i nënshtrohen të njëjtës procedurë dhe është një e arritur mjaftë e madhe që duhet ta shfrytëzojë edhe Qeveria edhe Kurti por jo vetëm të shfrytëzoj që të mbulohet me Gjykatën Kushtetuese por që të i bëjnë të gjitha përpjekjet që statuti që shkon në Gjykatën Kushtetuese të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën”.
“Draftin nuk e kam parë dhe është keq që nuk është parë ai draft jo nga unë por duhet ta shohin deputetët dhe partitë opozitare edhe pse nuk besoj që ato nuk e kanë parë edhe pse po thonë që nuk e kemi parë sepse po duan të mbulohen të cilat po potencojnë që nuk e kanë parë sepse duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që e kanë sepse nuk mundet një parti opozitare me e pa statutin edhe ne bisedë me Lajçakun e dy përfaqësues të tjerë mos e me pa në të njëjtën sallë sepse Lajçaku nuk e ka zgjedhur dikujt të ia jap e dikujt tjetër jo por është një përgjegjësi, nuk i besoj as Hazirit as përfaqësuesve të LDK që nuk e kanë parë”.