Kanë kaluar 3 vite nga Samiti i Sofjes, kur Kosova mori përsipër zbatimin e qëndrueshmërisë mjedisore, energjinë e ripërtërishme dhe veprimin për klimën, ndërsa të premten në tryezën e organizuara nga Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP me anëtarë të Komisioneve Parlamentare që fushëveprim kanë edhe Agjendën e Gjelbër, u diskutua pikërisht për angazhimin në gjetjen e burimeve të ripërtritshme, raporton InLajmi.
Gjatë diskutimeve u theksua se Kosova po ngecë në zbatimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore tha se pavarësisht angazhimin Kosova e vendet tjera po përballen me sfida në rrugëtimin drejtë dekarbonizimit.
“Pavarësisht qasjes së dukshme të këtyre qëllimeve, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të vazhdueshme në rrugëtimin e tyre drejt një të ardhme më miqësore me mjedisin. Këto sfida dalin nga kostot financiare, ekonomike dhe sociale të proceseve të transformimit, interesat konkurruese midis palëve të interesuara, mungesa e informacionit midis vendimmarrësve dhe mungesa e bashkëpunimit të fortë rajonal”, tha Abazi.
Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, kujtoi se Kosova po ecën para në programin e agjendës së gjelbër, e kjo sipas saj falë qeverisë.
“3 vite më parë Kosova është zotuar për zbatim të Agjendës së Gjelbër. A ka pas pengesa në disa sektorë, mendoj që po. Unë si kryetare jam e lumtur që kam hapësirë dhe të shtyjë çështje që lidhet me agjendën e gjelbër dhe sidomos kur e kemi një Qeveri që të dëgjon. Në kohën e më parme ka qenë e vështirë sepse e kemi pas një Qeveri që nuk të dëgjonte”, tha Pacolli.
Blendi Hasaj nga Instituti GAP, tha se duhet që me patjetër të punohet në orientimin për energjinë e ripërtrishme.
“Konsideroj që është e rëndësishme që të kemi këso lloj raportesh që e masin progresin në çështjet apo fushat që janë strategjike dhe shumë të rëndësishme për Kosovën, pasi që përveç vlerësimit ajo ndikon te Qeveria që ta rrisë angazhimin e saj në mënyrë që të arrijë objektivat. Këto angazhime që i kemi marrë kanë me na kushtëzuar një transformim të tërësishëm të sektorit energjetik. Kjo përveç që është sfidë në vetvete ka edhe shumë të mira që i ka si proces sepse një nga të mirat është që na mundëson një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm”, u shpreh Hasaj.