Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, 4 institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se “deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë” nga komuna për të asistuar në largimin e këtyre institucioneve nga ky objekt. Megjithatë, ai shtoi se policia është e gatshme të kryejë detyrat e saj për këtë çështje në momentin që i kërkohet.
Sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë që gjendet në terren, mëngjesin e së premtes situata para këtij objekti ishte e qetë.
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për 2 javë.
Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 7 shtator iu drejtua komunitetit ndërkombëtar, përfshirë shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke thënë se paralajmërimi për largimin nga ky objekt i institucioneve serbe “mund të çojë në thellimin e krizës në veri të Kosovës dhe rritjen shtesë të tensioneve në terren”.
Në letrën, që Petkoviq u dërgoi përfaqësuesve ndërkombëtar, u tha se veprimet e tilla të “njëanshme dhe joligjore nga Prishtina paraqesin një provokim të rrezikshëm” që sipas tij kërcënojnë të drejtat dhe jetën e popullit serb që jeton në veri të Kosovës.
Ndërkaq, më 6 shtator, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti.
Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.
Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.
Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.
Në këtë drejtim, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.