Qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht. Kjo falë finalizimit të Udhëzimit Administrativ, njoftoi ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton InLajmi.
Ministri Aliu së bashku me shefin për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, në një konferencë për media tha se ndalimi i qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron do të jetë i menjëhershëm e që sipas tij ato do të lejohet të përdoren vetëm për fruta.
Ndërsa për qeset prej 25 deri në 50 mikron ministri Aliu u shpreh se do të lejohet përdorimi i tyre por që do të jenë me pagesë dhe se nuk do të kenë logo të prodhuesve.
“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 cent por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, deklaroi Aliu.
Tutjetheksoi ministri Aliu se “Akti nënligjor i miratuar rishtazi shënon një hap të rëndësishëm drejtë avancimit të Agjendës së Gjelbër të Republikës së Kosovës, si dhe legjislacionit të BE-së. Zbatimi i këtij udhëzimi do të fillojë me aktivitete që kanë për qëllim reduktimin e përdorimit të qeseve të lehta plastike, duke përfshirë Fushatën e Reduktimit të Qeseve Plastike, e cila do të japë informacion mbi procesin e zbatimit të legjislacionit dhe të sensibilizojë konsumatorët dhe palët e tjera të interesuara për dëmin mjedisor të shkaktuar nga qeset plastike dhe rëndësinë e përdorimit të alternativave të ripërdorueshme dhe miqësore”.
Sipas ministrit do të ndalohet prodhimi, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse që nuk janë të biodegradueshme.

“Do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse ose degraduese… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm do t’i vendoset çmim prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micron nuk do të vendoset çmim shitje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”,theksoi ministri.
Për më tepër ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.
“Për depozita është çështje tjetër, është një projekt i cili me udhëzimin administrativ krijohet mundësia fillimit të sistemit të rimbursimit dhe depozitës po i cili nuk mund të filloj menjëherë. Për ta filluar sistemin e rimbursimit dhe depozita e duhet të ndërtohet një sistem ku do të jenë të përfshir edhe prodhuesit, edhe shitsit edhe imortuesit e ambalazhit që janë shishet e plastikës, kanaçet e aluminit, shishet e qelqit. Është projektuar që të mbajë të paktën këto shishe 0.25 litra lëngë dhe më së shumti deri në 2 litra lëngë dhe të jenë të mbyllura në gjendje hermetike dhe të pa përshkueshme nga uji në pikën e shitjes. Ato cka përjashtohen nga sistemi i rimbursimit dhe depozitave janë ambalazhi i produkteve të qumështit, ambalazhi i pijeve alkoolike, kavanozat e qelqit dhe kuti prej kartoni”, deklaroi para gazetarëve ministri Aliu.
Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, tha se nëse do të ketë sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve një përdorimeshe.
“BE-ja ka nderin që qëndron pranë jush bashkë më Gjermaninë dhe Kosovën nën mbështetje të zhvillimit dhe zbatimit të këtyre akteve me rëndësi në paketimin e mbeturinave. Plastika ka efekt serioz negativ në ambient dhe në shëndetin e njeriut dhe kjo ndotje është duke u rritur. BE po merr hapa që të përshpejtoj tranzicionin dhe të shkojë drejt ekonomisë efeciente. Nëse kemi sukses në zbatimin e rregullave evropiane do të kemi ulje 33 për qind të numrit të përdorimit të qeseve një përdorimshme. Zbatimi i duhur të akteve të reja ligjore është para nesh dhe shpresoj që do të kemi ndikim të mirë për Kosovën”, tha ai.
Shefja për Bashkëpunim në Ambasadën gjermane në Kosovë, Vera Baumann, tha se Kosova me këtë akte ligjore po shënon një hap për një vend më të pastër.
“Sot po shënojmë një hap për një Kosovë më të pastër që e kemi arritur me partneret dhe qeverinë e Kosovës. BE është rrugë drejt një shoqërie të vetëdijeshem për qeset e plastikës. Është një fillim për një Kosovë më të pastër e përgëzojmë Kosovën për këtë akt ligjor”, tha ajo.
Në fund u tha se ky akt nënligjor dhe Fushata e Reduktimit të Qeseve Plastike përbëjnë një hap drejtë një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme sa i përket mjedisit për Kosovën.
Sipas ministrit Aliu, këto iniciativa theksojnë përkushtimin e tyre për të nxitur një Kosovë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm./InLajmi/