Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është rreshtuar krah shteteve të lira demokratike në mbështetje të popullit ukrainas, në luftën e tyre të drejtë mbrojtëse, përcjell InLajmi.
Në shënimin e ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Haradinaj ka shkruar se sot vendi ynë është kthyer në shtëpi të 2-të për shumë gazetarë ukrainas, të cilët kanë gjetur mikpritje të ngrohtë në vendin tonë.
Postimi i plotë i tij:
“Ata edhe sot vazhdojnë ta ushtrojnë punën e tyre informuese për popullin ukrainas si gazetarë, duke ndarë përvojën e jetës së tyre në Kosovë me bashkëvendësit e tyre. Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, kisha kënaqësi të marr pjesë në pritjen e organizuar me ftesë të ambasadorit gjerman z. Jörn Rohde, në emër të shteteve të Quint’it, si dhe në emër të zyrës së BE-së, AGK-së, si dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në shënim të kësaj dite. Ne si popull që përjetuam të njëjtin agresion, qëndrojmë me Ukrainën, me popullin e saj, të tashmen dhe të ardhmen e saj”, /InLajmi/