Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë kanë kryer mëngjesin e së premtes bastisje në furrën e shndërruar në restorant, ‘Bukë e zemër’ dhe banesën e pronarit të saj, Ridvan Muharremi, i cili është arrestuar nën dyshimet se është përfshirë në keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Po ashtu bastisje dhe arrestime u kryen edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku u prangosën 2 zyrtarët, H. G dhe I.L
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth bastisjeve ku thonë se kontrollet në fjalë janë kryer mbi bazën e një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë (Departamenti Special) të lëshuar të enjten.
Tutje, në raport ceket se janë kontrolluar një shtëpi, 2 banesa, një lokal afarist dhe 2 zyre.
“Me datë 18.08.2023 është zbatuar urdhëresa e datës 17.08.2023 e Gjykatës Themelore në Prishtinë–Departamenti Special për kontrollim, ku janë kontrolluar një shtëpi, 2 banesa, një lokal afarist dhe 2 zyra”
3 të arrestuarit dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit./InLajmi/