Përveç Loriana Kukës dhe Dardan Cenës, sot garat në Grand Prix Zagreb të Kroacisë i ka filluar edhe xhudisti Akil Gjakova.
Në kategorinë e njëjtë sikur Cena, respektivisht në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova ka siguruar çerekfinalen e këtij turneu.
Gjakova është në rrugë të mirë drejt medaljes, ku tani në çerekfinale do të përballet me xhudistin nga Algjeria, Messaoud Redouane Dris.
Ndërkaq, deri te çerekfinalja, Gjakova raundin e parë e nisi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti xhudistin nga Kazakistani, Darkhan Koibagar.
Gjakova vazhdoi me fitore, ku e mposhti edhe izraelitin, Oron Giner, ndërsa në luftën për të siguruar çerekfinalen, Akili e mposhti xhudistin slloven, Martin Hojak, shkruan Lajmi.net.
Ndeshja e radhës për Akil Gjakovën do të jetë ndaj algjerianit, Messaoud Redouane Dris, ku në rast fitore ai siguron biletën drejt gjysmëfinales së këtij turneu.