Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” edhe sot janë duke e vazhduar grevën për shkak të mosekzekutimit të pagave në mënyrë të rregullt.
Njëri nga minatorët e kësaj ndërmarrje, (emër i njohur për redaksinë) në një prononcim për Telegrafin ka thënë se muajin e kaluar e kanë marrë pagën pjesë-pjesë.
Ndërsa siç u shpreh ai për muajin e fundit nuk e kanë marrë ende pagesë mujore që iu takon.
Sipas tij, problemi qëndron tek menaxhmenti për të cilën tha se nuk po dihen ku po shkojnë paret e prodhimit nga minierat.
“Punoj si minator i Trepçës që 40 vjet. Pse kemi hy në protestë arsyeja është paga. Një muaj i kemi marr pagat tri herë pak nga pak. E muajin e fundit hala s’kemi marrë asgjë. Drejtori që ka qenë deri tash e kanë hek, dhe e kanë marr një tjetër. E ky që është tash s’ka faj kurrgjë, po ata që kanë qenë…”, tha ky minator.
Minatori po ashtu tha se “këtu duhet të vij prokuroria e të sheh çka po bëhet, se nuk është në pyetje një mijë euro po janë shumë…duhet me u dit se ku janë paret”.
Edhe nënkryetari i Sindikatës së Minatorëve, Destan Kërleshi, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se protesta e minatorëve ende po vazhdon.
Ai tha se minatorët janë duke e vazhduar dhe sot grevën deri në ekzekutimin e pagave.
“Po vazhdon ende protesta për mosekzekutim të pagave” , ka thënë Kërleshi.
Ndryshe, greva e minatorëve ka filluar mëngjesin e së enjtes.