Me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se kryetarët aktualë të komunave në veri të Kosovës duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitimë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përcjell zhvillimet lidhur me mandatin e kryetarëve të katër komunave veriore, të zgjedhur në procesin e mbajtur më 23 prill të këtij viti. Kryetarët ishin zgjedhur në një proces të improvizuar të votimit që, ndonëse plotësoi kriteret minimale ligjore, u karakterizua me dalje tejet të ulët të votuesve – duke e cenuar ndjeshëm legjitimitetin e tyre politik.
“Si rezultat i tensionimit të situatës, është arritur një marrëveshje në Bratislavë, në kuadër të së cilës parashihet mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, deri në fund të verës. Megjithatë, KDI e konsideron të gabuar zhvendosjen e komunikimit për zgjedhjet në komunat veriore nga Qeveria vetëm në nivel ndërkombëtar, duke anashkaluar diskutimet me serbët lokal dhe përfaqësuesit e tyre politik”, thotë KDI.
Më tej KDI vlerëson se “me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”.
Njëkohësisht, KDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë, shkruan Telegrafi
Gjithashtu, KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi.