Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje në një konferencë për media, duke folur për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për letrën që kanë pranuar nga 56 parlamentarë nga Europa dhe SHBA me kërkesën që të sillen në mënyrë të barabartë si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, tha se Kosova u ndëshkua për shkak se u soll në “mënyrë joeuropiane”.
Ky kualifikim i Stanos fillimisht u sfidua nga një gazetare prezente në sallën e konferencave në Bruksel, e cila e pyeti Stanon nëse të njëjtën sjellje e ka edhe Serbia
Por, kjo deklaratë e Stanos nxiti reagime e kritika në rrjete sociale që e akuzojnë BE-në për njëanshmëri.
Një e tillë së fundi erdhi nga eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, i cili thotë se ajo që Stano tha është zëri i shefit të tij, Josep Borrell.
Bütikofer madje kërkoi që Borrell për këtë të japë përgjegjësi para Parlamentit Europian.
“Çfarëdo marrëzie që zëdhënësi kryesor për punë të jashtme të BE-së shqipton, ai është zëri i zotërisë së tij – dhe Josep Borrell duhet të mbahet përgjegjës nga Parlamenti Europian për një politikë krejtësisht të dështuar, shumë të njëanshme dhe të padrejtë: qeverinë autoritare serbe që ai përqafon dhe Kosovën që ai kritikon dhe sanksionon”, tha ai