Profesorit të palodhshëm, e njërit prej dramaturgëve më të vyer teatror Haqif Mulliqit këtë të enjte iu dha lamtumira e fundit, raporton InLajmi
Në një ceremoni në mes kolegëve, artistëve u përkujtua jeta dhe vepra e profesorit të njohur kosovarë.
I pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi i cili tha se sot është ditë zie për institucionin që drejton me rastin e humbjes së Mulliqit.
“Ai ka ofruar shembullin më të mirë të një profesori të kompletuar, punëtori të palodhshëm sikur edhe të një figure prej intelektuali, krijuesi e një studiuesi të shquar në fushën e dramës dhe artit”, ka thënë Qerimi
Ndërsa vajza e profesorit Getoarbë Mulliqi tha se ai ka qenë ikona e Prishtinës dhe është i papërsëritshëm për shumë sfera.
“Do të doja të ishte babi këtu dhe të shihte se sa shumë e gëzon respektin e njerëzve. Babi ka qenë një shqiptar i madh, bashkëshort, baba, gjysh e familjar i pashoq. Ka qenë shok dhe ka qenë bashkëpunëtorë me vlera shumë të larta, profesor që krejt çka ka pasur ia ka transmetuar studentëve të tij”, ka thënë ajo.
Ndryshe varrimi i të ndjerit bëhet sot në ora 15:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë. /InLajmi/