Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas një takimi me Millorad Dodikun, presidentin e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republika Sërpska, që janë pajtuar për organizim të shpejtë të një takimi të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Sërpska.
Sipas tij, takimi do të mbahet në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje.
“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Sërpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Sërpskas, në territorin e Republikës Sërpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram më 20 korrik.
Çfarë i ka paraprirë takimit?
Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiqit zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.
Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Që deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës së anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, e ka thënë të mërkurën edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.
Veprimet e Dodikut i ka kritikuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një dëshmi të dhënë para anëtarëve të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, më 18 korrik.
“Veprimet e vazhdueshme, përçarëse dhe jodemokratike kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai, shkruan REL
Prej shpërthimit të krizës së fundit në Bosnje, presidenti Vuçiq kryesisht ka qëndruar anash, duke thënë se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet atje.