I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se pavarësisht hapave të ndërmarra për uljen e tensioneve, situata është ende e brishtë në veri të Kosovës, përcjell InLajmi.
“Fatkeqësisht, pavarësisht nga ndërmarrja e hapave të qarta për uljen e suksesshme të tensioneve, situata është ende e brishtë”, tha Lajçak.
Ai ka shtuar se “2 ditët e fundit i ka kaluar në Bruksel, ku ai dhe ekipi i tij kanë punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të koordinuar hapat e ardhshëm në zgjidhjen e krizës aktuale në veri të Kosovës”.
Lajçak bëri të ditur gjithashtu se për zhvillimet e fundit në veri dhe dialogun Prishtinë-Beograd ka diskutuar edhe me eruroparlamentarët e Komisionit për Punë të Jashtme.
“Lajçak tha se ka biseduar me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG-NEAR), Gert Jan Koopman, për situatën në veri të Kosovës dhe zhvillimet e fundit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Lajçak./InLajmi