Kryeministri i Kosovës përmes një video mesazhi i ka bërë thirrje komunitetit serb në Kosovë që së bashku me të gjitha komunitetet të rrugëtojmë drejt një të ardhme më të morë, ndërsa ka kërkuar falje për mbajtjen e zgjedhjeve në veri me pjesëmarrje të ultë të votuesve, përcjell InLajmi.
Kryeministri ka vazhduar me arsyetimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 komunat duke theksuar se fillimisht e shtynë ditën e zgjedhjeve për 4 muaj me shpresën që Lista Serbe do të merrte pjesë dhe se bashkësia ndërkombëtare i kishte premtuar që nëse Kosova pranon aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
Kreu i ekzekutivit të vendit, ka shpërfaqur zhgënjimin nga Aleksandër Jabllanoviqin nga i cili ka pritur të fitonte në Leposaviq, por thekson ai se “oferta luksoze” nga Beogradi e tërhoqi nga kandidimi.
“Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe 2 apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë shumë presion apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, deklaron Kurti në video-mesazhin e tij drejtuar serbëve të Kosovës.
Kreu i Qeverisë së Kosovës u thotë qytetarëve serbë në vendin tonë se Aleksandar Vuçiqi sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur një luftë tjetër dhe se në të njëjtën kohë ai është garancia e tyre që vitet e 90-ta nuk do të bëhen të kaluara.
“Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë rob lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, kishte pushtet edhe pa detyrime sepse Millosheviqi mbante të gjithë përgjegjësinë”, është shprehur kryeministri Kurti./InLajmi/