Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri, ashtu edhe në tërë territorin e Kosovës, përcjell InLajmi
Tutje ka shtuar ministri Mehaj se “komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe t’iu qëndrojë deri në fund palëve prapa sipas gatishmërisë së tyre përkatëse drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit në veri të vendit”.
Ai ka theksuar se Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj.
Postimi i plotë i tij:
Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Bashkë me Policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse.

Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve. Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj.
Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan.
Çdo përpjekje për depërshkallëzim, duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për të ofruar zgjidhje për aktin e djeshëm, si dhe veprimet e saj të vazhdueshme provokuese dhe nxitëse karshi Republikës së Kosovës.
Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe duhet t’iu qëndrojë deri në fund pranë palëve, sipas gatishmërisë së tyre përkatëse, drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit të situatës në veri të vendit tonë.
Me Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj! /InLajmi/