Ish-kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, njëherësh doktori i Mjekësisë së Përgjithshme vjen në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi.
Bislimi rrëfen për eksperiencën e tij si politikan dhe si mjek në shërbim të qytetarëve, ndërsa shpalos edhe planet e tij për të ardhmen. Gjithashtu ai tregon nëse e ka ndërmend të rikandidojë si deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.
InLajmi: Jeni mjek dhe aktivist politik. Pse zgjodhët këto dy profesione krejtësisht të kundërta dhe në cilën e gjen veten më shumë Donjeti?
Donjet Bislimi: Fillimisht, ju falënderoj për ftesën dhe intervistën. Po unë jam mjek me profesion, jam në vitin e tretë të specializimit në sferën e Shëndetit Publik në IKSHPK, gjithashtu tash e më shumë se një dekad jam edhe aktivist politik, kam bartur disa pozita dhe kam qenë i zgjedhur edhe nga populli. Nuk shoh dallim në misionin e të dy fushave, misioni është komplet i njëjtë, shërbimi ndaj qytetarëve dhe implementimi i vizionit për një Kosovë më të mirë janë rrugë të ndryshme ndonjëherë, por destinimin e kanë të njejtë.
InLajmi: Si mjek apo politikan, në cilën mënyrë mund të kontribuosh më shumë në të mirë të qytetarëve?
Donjet Bislimi: Në të dyja fushat, nëse ke qëllim të qartë, vizion konkret dhe motivimin e duhur mund të japesh kontribut të pashoq në të mirën e qytetarëve, mjekësia të jep mundësinë e avancimit të shëndetit të individit ndërsa politika të shëndetit të përgjithshëm të popullatës dhe sigurimin e një te ardhme më të mirë për rininë kosovare.
InLajmi: Keni fituar çmimin IRI Freedom Award nga senatorja Joni Ernst nga Republika e Iowa-s për kontributin tuaj si doktor vullnetar gjatë pandemisë. Si jeni ndjerë për këtë vlerësim që keni marrë nga amerikanët?
Donjet Bislimi: Kjo është një ndër momentet më të rëndësishme në jetën time, si mjek i ri në kohën e pandemisë e ndieja nevojën e shërbimit ndaj popullit dhe vendit tim, atëherë nuk e kam menduar se dikush përtej atlantikut do të më shpërblente me një çmim kaq të rëndësishëm, të cilin e kanë marrë edhe shumë figura të shquara siç ishte ish-presidenti George W. Bush apo liderë të tjerë dhe aktivistë të çështjeve politike dhe humanitare. E kam thënë atëherë dhe e them edhe sot, atë çmim ia kam dedikuar gjithë popullit kosovar, për të cilin unë dhe gjithë koleget e mi kemi shërbyer dhe vazhdojmë të shërbejmë me zell.
InLajmi: Nëse mbahen zgjedhjet e reja në vend, a do të kandidoni si deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së?
Donjet Bislimi: Kjo është një pyetje pergjigjen e së cilës nuk e kam të prerë. Unë e shoh vetën gjithmonë në shërbim dhe në çfarëdo pozite që jeta të sjell, ti mund të japësh kontributin tënd, aty ku ka nevojë më së shumti të jem aty dhe do të jem, aktiviteti politik më jep mundësi të inicoj dhe mbështes ndryshime substanciale dhe atë nuk do t’i ndali.
InLajmi: Po kalojmë pak te Qeveria e Kosovës. Si e vlerësoni deri tani këtë qeverisje. A mendoni se ka krijuar perspektivë për zhvillim dhe punësim për të rinjtë?
Donjet Bislimi: Une mendoj se Qeveria e Kosoves ka shumë më shumë mundësi që perspektivën e rinisë kosovare ta vendosi si prioritetin numër një të saj, por fatkeqësisht, duke i parë zhvillimet dhe dinamikat, këtë nuk po e bën.
InLajmi: Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të largimit masiv të stafit shëndetësor nga Kosova. Si e shihni këtë ikje masive dhe çfarë mendoni se duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar këtë fenomen?
Donjet Bislimi: Ikja e trurit kosovar është shqetësim i madh, rinia me potencial të lartë, intelektual dhe akademik duhet të motivohen të qëndrojnë dhe kontribuojnë në vendin e tyre. E keqja këtu është që stimulimi mungon dhe mundësitë vazhdojnë të jenë te pakta për avancim. Ndërsa, nëse flasim për mjekët dhe infermieret, kolegët tanë që mision të jetës e kanë shërbimim ndaj qytetarit, institucionet relevante duhet ta kenë parasysh që trajtimi i tyre duhet të bëhet në mënytë të veçantë, të përkrahen në forma të ndryshme dhe të shpërblehen për punen e pamohueshme që vazhdimisht ta bëjnë. /InLajmi/