Kërkesat e 2 komunave veriore, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, për kyçje në sistem dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik në këto komuna, po shqyrtohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. ZRRE thotë se është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e saj. 2 komunat e tjera, Zubin Potoku dhe Zveçani, ende s’kanë kërkuar diçka të tillë.
Pak ditë pas marrjes së detyrës, kryetarët e sapozgjedhur të komunave veriore, u janë drejtuar me kërkesa zyrtare Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KOSTT’it, për energjinë e shpenzuar në këto komuna.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga këto institucione që t’i kyçin në sistem për të nisur pagesën e rrymës elektrike, në institucionet publike të komunës.
Atiq ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt.
“Kërkoj prej jush që të filloni sa më parë të ndërmerrni veprimet e nevojshme për kyçjen e të gjitha këtyre institucioneve, në mënyrë që komuna të mund të fillojë pagesën e energjisë së konsumuar”, thuhet në kërkesën e Atiq.
Ata kanë kërkuar nga autoritetet që t’i njoftojnë edhe për borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar.
“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë elektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, ka shkruar Hetemi.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energjisë kanë deklaruar se po shqyrtojnë këto kërkesa dhe se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e ZRRE-së.
“Zyra e Rregullatorit për Energji, ka pranuar kërkesa zyrtare nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit. Kërkesa e kryetarëve ka të bëjë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme lidhur me kyçjen dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik të cilat bien në kompetencën e nivelit lokal. Zyra e Rregullatorit për Energji është në proces të shqyrtimit të kësaj kërkese dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore që janë nën kompetencën e ZRRE-së”, kanë deklaruar nga ZRRE.
Për dallim nga Mitrovica e Veriut e Leposaviqi, 2 komunat e tjera veriore nuk kanë bërë ende kërkesë për t’u kyçur në sistem, shkruan Gazeta Exrpess.
“ZRRE-ja nuk ka pranuar kërkesa nga kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së