Rritja e faturave të tatimit në pronë ngjalli shumë debate dhe pakënaqësi tek qytetarët, ndërsa rritjen e kundërshtuan edhe partitë opozitare, madje përmes Rezolutës në Kuvend kërkuan nga qeveria pezullimin e rivlerësimit të pronave, kurse faturat e tatimit në pronë të llogariten sipas vlerësimit paraprak, shkruan InLajmi
Kjo rezolutë nuk ndryshoi asgjë ndërsa Qeveria përmes plotësim ndryshimit të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, parasheh faljen prej 100 eurove të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.
Ndryshe, kujtojmë se rritja e faturave të tatimit në pronë është bërë pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.
Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar.
U diskutua e u kundërshtua rivlerësimi i pronave me këtë edhe rritja e tatimit në pronë, por vendimi nuk u ndryshua, derisa qeveria doli me vendimin për aplikimin e interesit dhe gjobën për mos pagesën e tatimit në pronë.
Për ata që nuk paguajnë tatimin do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.
Pra edhe përkundër reagimeve për rritjen e tatimit në pronë, qytetarët u “detyruan” që të bëjnë pagesën për të shmangur kështu pagesën e interesit dhe gjobën.
Sa kanë paguar qytetarët tatim në pronë për 4 mujorin e parë të këtij viti?
Edhe përkundër shumë ankesave e reagimeve një numër i madh i qytetarëve kanë bërë pagesat e tatimit në pronë, për të shmangur kështu gjobën dhe interesin prej 0.65 % për secilin muaj vonesë.
Ministria e Financave përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën InLajmi bëri të ditur se për periudhën 4 mujore Janar – Prill 2023 të hyrat nga tatimi në pronë kanë shënuar rritje prej 31% në raport me të hyrat e tatimit në pronë për të njëjtën periudhë kohore Janar – Prill të vitit 2022.
“Sa i përket pagesës së tatimit në pronë, mund t’ju informojmë se për periudhën 4 mujore Janar – Prill 2023 të hyrat nga tatimi në pronë kanë shënuar rritje prej 31% në raport me të hyrat e tatimit në pronë për të njëjtën periudhë kohore Janar – Prill të vitit 2022”, deklaroi Ministria e Financave për InLajmin.
Nga Ministria e Financave më tej u bë e ditur se pagesat e tatimit në pronë vetëm gjatë muajit Prill 2023 kanë shënuar ngritje prej 63% në raport me të hyrat e tatimit në pronë gjatë muajit Prill të vitit 2022.
“Ndërsa, pagesat e tatimit në pronë vetëm gjatë muajit prill 2023 kanë shënuar ngritje prej 63% në raport me të hyrat e tatimit në pronë gjatë muajit prill të vitit 2022”, thuhet tutje në përgjigjje.
Masat që merren për qytetarët që nuk e paguajnë tatimin në pronë
Lidhur me mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë, komuna ka për obligim ligjor që të përdorë mjetet për mbledhjen e detyrueshme të detyrimeve tatimore në rast se tatimpaguesit nuk e kryejnë këtë detyrim ligjor brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Hapat të cilat mund t’i ndërmarrin komunat përfshijnë lëshimin e njoftimit përfundimtar, pezullimin e shërbimeve komunale dhe nxjerrjen e vendimit për ekzekutim të detyrimeve tatimore si titull ekzekutiv dhe ekzekutimin e tij përmes procedurës së përmbarimit privat. Libona Gegaj/ InLajmi/