Miranda Hashani është një këngëtare e mirënjohur shqiptare, këngët e së cilës u bënë mjaft të dashura për publikun shqiptar anë e kënd botës. Ajo është ikona e këngës shqipe, me një karrierë të shkëlqyer, me një repertor këngësh që s’do të harrohen kurrë.
Këtë javë, këngëtarja vjen në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi. Ajo flet për fillimet e saja në muzikë, sfidat, vështirësitë, jetën jashtë vendlindjes e deri te sukseset dhe planet për të ardhmen.
Për më tepër, Miranda tregon për InLajmin se shumë shpejt do të sjellë këngën “Jetë e pajetuar”, e cila veçse është duke u realizuar ndërsa i kanë mbetur pak kohë nga publikimi.
InLajmi: Në cilën moshë keni filluar të merreni me muzikë?
Miranda Hashani: Me këngën kam filluar që në moshën 5 vjeçare, ndërsa viti 1984 është regjistrimi i këngës time të parë në RTV të Shkupit, redaksia në gjuhën shqipe me këngën “Bora” në emisionin për festat e fundvitit me orkestrën e SHKA “Ibe Palikuqi”.
InLajmi: Kush ju ka mbështetur më së shumti në fillimet e juaja?
Miranda Hashani: Të parët kanë qenë prindërit dhe mësuesja, pastaj udhëheqësit e SHKA-së “Ibe Palikuqi”.
InLajmi: Cilat kanë qenë sfidat apo vështirësitë që ju kanë përcjellur gjatë rrugëtimit tuaj?
Miranda Hashani: Nuk ka punë e synim që arrihet pa sfidë e vështirësi. Për mua aspak nuk ka qenë e lehtë sidomos me paragjykimet, rrethimi i njerëzve përreth pa vizion e plot negativitet, që ma mbushnin mendjen se “nuk ia dal dot se jam femër”, por falë këmbënguljes time, mbështetjes nga babai e nëna dhe ata pak miq pozitiv që kisha, unë ia dola për të realizuar çdo ëndërr që kisha në mendje e zemër.
InLajmi: Jetoni larg vendlindjes. Sa ka ndikuar nostalgjia dhe malli për vendlindjen në krijimtarinë tuaj artistike?
Miranda Hashani: Vendlindja ime është Parisi, në Shkup u rrita ndërsa jeta ime vazhdoi në Prishtinë. Sot jetoj në një trekëndësh Gjermani, Zvicër e Francë. Malli nuk pres të më kaploj sepse vij shpesh në Prishtinë e Shkup, andaj mund të them se Evropa nuk është më larg për mua. Krijimtaria ime artistike vazhdon njësoj si gjithmonë.
InLajmi: Përveç muzikës, keni punuar si infermiere dhe jeni marrë me dizajn grafik, në cilin profesion mund të themi që “ju fle” shpirti më shumë?
Miranda Hashani: Si infermiere kam punuar shumë pak, nuk u lidha shumë sa me dizajnin, pikturën e artin në përgjithësi. Në art e gjej veten më shumë, por kur ka nevojë dikush për ndonjë ndihmë si infermiere jam aty sepse e dua humanizmin dhe më mbushet shpirti kur ndihmoj njerëzit.
InLajmi: Cili është performanca apo koncerti që ju ka falur emocione të paharrueshme?
Miranda Hashani: Kam shumë nga ato performanca, emocione e kujtime të bukura, por do të veçoja koncertin tim jubilar “30 vite këngë me ju” që e realizova në Shkup mes adhuruesve, miqve e bashkëpunëtorëve që më falën dashuri e lumturi pafund.
InLajmi: Kujt ia dedikoni suksesin e arritur?
Miranda Hashani: Suksesin ua dedikoj prindërve të mi që më mësuan qysh fëmijë të besoj tek vlerat njerëzore e t’i kultivoj në çdo hap të jetës sime. Ata më kanë mbështetur me këshilla apo kritika që të përballem me realitetin, por njëkohësisht të shikoj larg me sytë e mendjes e të ëndërroj e të punoj fort që ëndrrat e mia të bëhen realitet. Suksesin ua dedikoj edhe adhuruesve të mi, që e përqafuan fort këngën time dhe falë tyre unë jetoj në skenë akoma.
InLajmi: Për fund, na thoni se cilat janë planet e juaja për të ardhmen. A e keni në plan të sillni ndonjë projekt muzikor?
Miranda Hashani: Sapo kam publikuar këngën time “Rri me mua”, po pres tani për një kohë deri te kënga tjetër që po realizoj me titull “Jetë e pajetuar”. /InLajmi/