Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë vendimin për suspendimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor, përcjell InLajmi
Këtë e bëri të ditur vetë ministrja Haxhiu e cila theksoi se zotimi im ishte në mbrojtje të interesit publik dhe vendimi i suspendimit të Kërçagut është në linjën e tëtij parimi.
Tutje është shprehur ajo, profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre.
Haxhiu u bëri thirrje përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse siç tha ajo nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje.
Postimi i plotë i saj:
Bazuar në kompetencat ligjore, sot kam nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor.
Si Ministre e Drejtësisë jam zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe çdo vendim i imi do të jetë në linjë me këtë parim.
Profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre.
Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje. /InLajmi/