Belgjika, Danimarka, SHBA-ja, Kanadaja, India, Tajvani, Pakistani, si dhe Afganistani janë disa nga shtetet që kanë ndaluar përdorimin e rrjetit social TikTok ndërsa shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë vazhdojnë të rriten, pasi dyshohet se Kina po mbledh të dhëna të ndjeshme nga shtetet përmes këtij aplikacioni, të dhëna këto që mund të keqpërdoren, shkruan InLajmi.
Dyshimet për “vjedhjen e të dhënave” përmes aplikacionit TikTok kanë ngritur shqetësime edhe në Kosovë derisa ndalimi i tij është ngritur në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Më i zëshëm në për ndalimin e TikTok-ut, ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha i cili ngriti shqetësimin për “rrezikun” e sigurisë kombëtare nga ky aplikacion, por edhe për mundësinë e ndalimit të tij, si masë për keqpërdorimin e mundshëm të të dhënave, veçanërisht nga pajisjet qeveritare.
Lidhur me rrezikun që paraqet për sigurinë kombëtare të vendit dhe mundësinë e ndalimit të TikTok-ut, flasin nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale për qasje në dokumente publike.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në një deklaratë për InLajmin flet për mundësinë e ndalimit të TikTok-ut ndërsa bën të ditur se po jep kontributin e saj lidhur me çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, por thekson se nuk ka mandat për vlerësimin e rrezikshmërisë së sigurisë kombëtare sa i përket këtij aplikacioni.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi, si institucion i pavarur, është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasjen në Dokumente Publike. Në kuadër të kompetencave të saj, AIP nuk ka mandatit të vlerësoj rrezikshmërinë e sigurisë kombëtare”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi bëjnë me dije se janë duke komunikuar me të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare, me qëllim që të bëhet vlerësimi i duhur lidhur me sigurinë e përdorimit të TikTok-ut.
“AIP ka marrë për sipër, është që të komunikojë me të gjitha institucionet relevante që janë përgjegjëse për sigurinë kombëtare me qëllim që të bëhet një vlerësim i duhur lidhur me sigurinë e përdorimit të kësaj platforme. AIP në këtë grup do të japë kontributin e saj lidhur me çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen e të dhënave personale”, thonë zyrtarë nga AIP.
Ndërkaq për ndalimin e këtij aplikacioni në pajisjet e institucioneve publike, zyrtarë nga kjo agjenci thonë se vendimi për ndalim i takon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Varësisht nga vlerësimi dhe rekomandimi i të gjitha institucioneve të përfshira për këtë çështje, vendimi për ndalimin e përdorimit të kësaj platforme në pajisjet e institucioneve publike (kompjuter, llap top, telefon) mbetet përgjegjësi e Qeverisë apo Kuvendit të vendosin mbi këtë”, sqarojnë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Edhe pse është ngritur si shqetësim çështja e përdorimit të TikTok-ut nga ligjvënësit, nga AIP theksojnë se deri tani nuk ka ankesa nga institucionet apo qytetarët lidhur me keqpërdorimet e mundshme të të dhënave përmes këtij aplikacioni.
“Ne si institucion, deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë ankesë nga institucionet apo edhe qytetarët lidhur me ndonjë keqpërdorim të të dhënave personale nga kjo platformë,” thonë zyrtarët e AIP-së ndërsa theksojnë se mbeten të përkushtuar për mbikëqyrjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe zbatimin e ligjit. Shqipe Vishaj /InLajmi/