Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti, mirëpriti drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing, e shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe nga ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Denis Keefe, përcjell InLajmi.
Takimi filloi me urimin e kryeministrit Kurti për Kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla, fundjavën që lamë pas. Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë Billing, të cilën e njoftoi për zhvillimet në vend, me theks te progresi ekonomik dhe demokratike në 2 vitet e fundit, dhe për bashkëpunimin e afërt me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, si rezultat i raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet 2 vendeve.
U diskutuan edhe zhvillimet në rajon dhe marrëdhëniet me Serbinë, me theks te zbatimi i Marrëveshjes Bazike të arritur me 27 shkurt në Bruksel.
Kryeministri Kurti e njoftoi Billing për takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, edhe për vizionin e propozuar në atë takim, sipas modelit kroat, përkitazi me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike.
Ai theksoi se Marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, dhe se Republika e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar palë e përgjegjshme, konstruktive dhe kreative. /InLajmi/