Trajtimi i çrregullimeve psikike në Kosovë vazhdon të mbetet nën “hijen” e mentalitetit paragjykues të shoqërisë. Edhe pse pasluftës kemi një shkëputje të ndjeshme nga ky mentalitet, kujdesi ndaj shëndetit mendor sikur ka marrë një vëmendje ndryshe nga e kaluara derisa tani kërkesat për trajtim psikologjik janë rritur në masë, por jo në nivelin e duhur. Prandaj kujdesi ndaj shëndetit mendor mbetet edhe më sfidë e shoqërisë si tërësi, shkruan Inlajmi.
Këtë javë për rëndësinë, kujdesin e shumë gjëra të tjera rreth shëndetit mendor në një intervistë për InLajmin, flet psikologia Valbona Uka.
InLajmi: Sa është i rëndësishëm shëndeti mendor për njeriun?
Valbona Uka: Shëndeti mendor është i rëndësishëm po aq sa shëndeti fizik. Shëndeti mendor është i rëndësishëm sepse ai ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien tonë emocionale, ndikon në funksionimin tonë të përditshëm, pra mund të ketë ndikim në shëndetin fizik edhe në marrëdhëniet tona ndërpersonale. Prandaj edhe themi se ‘’nuk ka shëndet pa shëndet mendor’’.
InLajmi: Sa janë qytetarët të vetëdijshëm për kujdesin ndaj shëndetit të mendjes dhe trajtimin e problemeve në aspektin psikologjik?

Valbona Uka: Duke pasur parasysh rrethanat e shkaktuara nga Pandemia Covid-19, vërehet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për trajtime psikologjike. Pra periudha e izolimit, duket sikur ka “zgjuar” problemet mendore tek njerëzit andaj edhe janë rritur kërkesat për trajtime psikologjike gjë që lë të kuptohet se njerëzit kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e shëndetit mendor dhe trajtimin e problemeve të tyre. Megjithatë nuk mbetemi të kënaqur me vetëdijen qytetare sa i përket trajtimeve psikologjike, mbase në këtë “çalojmë” për shkak të mentalitetit shoqëror. Pra, ende ekziston stigma për shëndetin mendor.
InLajmi: A kemi dallim sa i përket mentalitetit për trajtim psikologjik të problemeve mendore në ditët e sotme krahasuar me vitet e para të pasluftës?
Valbona Uka: Trajtimet psikologjike në vendin tonë gjithnjë kanë qenë të “mangëta”, kjo për shkak të mungesës së kuadrove e ndoshta më shumë për shkak se popullata ka qenë e pa informuar për rolin e shëndetit mendor aq sa edhe për mundësinë e trajtimit të problemeve psikike. Gjithashtu trajtimi psikologjik ka qenë i paragjykuar në shoqëri, e kjo qasje paragjykuese mbase edhe ka ndikuar që të mos kërkohet ndihma profesionale dhe rastet e lehta mandej kanë degraduar deri në shkallët e trajtimeve neuropisikiatrike. Fatkeqësisht ende kemi pasojat e këtyre paragjykimeve shoqërore në rastet e trajtimeve psikologjike edhe pse duhet ti gëzohemi faktit se jemi pak më mirë në këtë aspekt pas luftës ku duket se qytetaria ka njohuri më shumë për shëndetin e mendjes dhe kërkohet trajtim pavarësisht paragjykimeve. Pra, mentaliteti i shoqërisë sonë për trajtime psikologjike ka shënuar progres jo të mjaftueshëm, por së paku vërehet një vetëdije më e lartë ndaj shëndetit mendor krahasuar me vitet paraprake. Gjithashtu në Kosovën e pasluftës kemi një interesim të shtuar të studimeve në fushën e psikologjisë dhe tani psikologët nuk janë kuadër deficitar sikur ka qenë dikur.
InLajmi: Keni trajtuar shumë raste të problemeve psikologjike tek moshat e shtyra apo tek moshat e reja, cilat janë problemet më të shpeshta psikologjike?
Valbona Uka: Gjatë praktikës klinike rastet më të shpeshta që kanë kërkuar trajtime psikologjike, fatkeqësisht kanë qenë pacientë të moshave të reja. Kurse sa i përket trajtimeve psikologjike në shumë raste janë trajtimet e personave me çrregullimeve psikike sikur janë: ankthi, depresioni, përdorimi i substancave narkotike, çrregullimet në sjellje, çrregullimet e ushqimit etj.
InLajmi: Si mund të dalloni një person se ka nevojë për trajtim psikologjik, në cilat raste duhet?
Valbona Uka: Ne si profesionalist kuptohet se kemi metodat të cilat i aplikojmë për përcaktimin e llojit të çrregullimit psikologjik nga i cili vuan individi por edhe trajtimin profesional psikologjik. Trajtim psikologjik duhet t’i ofrohet individit kur; individi përjeton stres të vazhdueshëm i cili edhe shoqërohet me dhimbje somatike; kur individi përjeton ndjenja ankthi dhe nuk mund të mban nën kontroll sjelljet e tij dhe eviton çdo kontakt social; kur individi përjeton luhatje humori, dhe kjo ndikon në jetën e tij. Kur individi vuan nga një sëmundje kronike; kur individi po kalon një krize në familje ose marrëdhënie intime; kur individi ndihet i dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht; kur individi është impulsiv dhe nuk mund të menaxhon sjelljen e tij; konfliktet e vazhdueshme prind- fëmijë. Jo vetëm për rastet e cekura por trajtim psikologjik duhet të marrin individët edhe në rastet kur ata kanë shqetësime sado të vogla për të parandaluar çrregullimet më të rënda. Pra është mjaft e rëndësishme mendoj që për çdo shqetësim individi të kërkon trajtim psikologjik pa frikë e pa pasur turp.
InLajmi: Çfarë është stresi postraumatik, si vjen deri tek kjo gjendje dhe si trajtohet?
Valbona Uka: Çrregullimi i stresit postraumatik (PTSD) është një çrregullim ankthi i cili shfaqet që shfaqet pasi individi përjeton një ngjarje traumatike. Këtë çrregullim mund ta shkaktojë një gamë e gjerë e përvojave, përfshirë: luftën, aksidentet në komunikacion, sulmet terroriste, vërshimet, një lindje traumatike, humbja e një personi të afërm etj. Individi pasi ka përjetuar një ngjarje traumatike duhet të kërkoj ndihmë profesionale nëse shfaq reagime ndaj ngjarjes traumatike që ndërhynë në jetën e individit, shumicën e kohës është i merakosur, individi përjeton flash/ back, sheh ëndrra me përmbajtje nga ngjarja traumatike, ka mendime negative dhe pesimiste etj. Trajtimi i çrregullimit të stresit postraumatik është përqendruar kryesisht në psikoterapi, në varësi të situatës barnat mund të ndihmojnë individin për të rritur efektivitetin e trajtimit. Forma me e suksesshme e trajtimit ptsd është psikoterapia kognitive biheviorale (CBT).
InLajmi: Varësia nga rrjetet sociale a mund të ketë pasoja edhe ne aspektin psikologjik tek individët?
Valbona Uka: Pa diskutim që varësia nga rrjetet sociale për një kohë të gjatë ka një ndikim negativ në shëndetin mendor, tek të gjitha grupmoshat, por më të predispozuar janë fëmijët dhe adoleshentët. Sipas studimeve varësia nga rrjetet sociale ka tendencë të shfaq; perfeksionizëm patologjik, vetëvlerësim të ultë, nivele të larta të ankthit e depresionit. Andaj porosia ime si profesioniste e fushës së psikologjisë është se për ta parandaluar varësinë nga rrjetet sociale është e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim të shëndoshë midis prindërve dhe profesionistëve. Këshilla ime është që secili nga ne të qëndrojmë më larg rrjeteve sociale, me theks fëmijët dhe adoleshentët për të mos krijuar varësi. Qëndrimi i tepruar në rrjetet sociale dëmton rëndë mënyrën e perceptimit dhe krijon imazhe jo të vërteta të botës ku ne jetojmë. Libona Gegaj InLajmi