Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të trajtojë me prioritet dëmtimin e urës mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit, pasi siç thekson ai, kjo urë paraqet rrezik për qarkullim, përcjell InLajmi.
Hoti kritikon gjithashtu Qeverinë e Kosovës për bllokadën e projekteve kapitale në të gjithë Kosovën, për të cilat thotë se “dëmet për qytetarë dhe për ekonominë nga vonesa në këto projekte të mëdha janë së paku 3 herë më të mëdha se kostoja e këtyre projekteve, një shifër që shkon në 1 miliard euro”.
Për më tepër, ai thotë se kjo qeveri nuk i ka prioritet këto projekte dhe nuk do t’i kryejë në mandatin e mbetur prej një viti e gjysmë, duke shtuar se projektet kapitale për vitin 2023 janë me shpenzime zero.
Deputeti thekson se qeveria i ka bllokuar edhe shumë projekte të komunave duke mos ua bartuar mjetet vetanake.
Postimi i plotë i tij:
Ura mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit është dëmtuar nga reshjet në janar 2021. Sipas komisionit të Ministrisë së Infrastrukturës, ura paraqet rrezik për qarkullim. Bashkë me deputetin z. Driton Selmanaj dhe anëtarët e degës së LDK-së në Gjakovë pamë se asnjë veprim nuk është ndërmarrë deri më sot. Para se të jetë vonë edhe një herë bëj thirrje të trajtohet me prioritet ky rast.
Është e pakuptueshme bllokada e projekteve kapitale në gjithë Kosovën: autostrada për Gjilan, rruga për Podujevë, rruga për Mitrovicë, rruga për Gjakovë, rruga Xërxë-Rahovec e shumë projekte të tjera.
Dëmet për qytetarë dhe për ekonominë nga vonesa në këto projekte të mëdha janë së paku 3 herë më të mëdha se kostoja e këtyre projekteve, një shifër që shkon në 1 miliard euro.
Tanimë është e qartë se kjo qeveri nuk i ka prioritet këto projekte dhe nuk do t’i kryejë në mandatin e mbetur prej një viti e gjysmë. Kjo shihet edhe nga raporti i buxhetit për periudhën janar-mars 2023, ku pothuajse të gjitha projektet kapitale janë me shpenzime zero.
Për më tepër, jo vetëm që nuk i shpenzon mjetet e veta, por qeveria i ka bllokuar edhe shumë projekte të komunave duke mos ua bartuar mjetet vetanake. /InLajmi/