Dibra, e pasur me kulturë, traditë, gastronomi dhe e bekuar me një natyrë të bukur, është kthyer në një ndër destinacionet e preferuara të turizimit malor.
Në kuadër të promovimit të potencialeve turistike dhe kulturore, Bashkia Dibër organizoi aktivitetin “Dibra n’Fest” duke u dhuruar qytetarëve dhe vizitorëve një festë tejet të veçantë.
Një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, ekspozita të ndryshme, histori, dokumentarë, traditë, parade me motorrë, kulinari tipike dibrane, rafting etj., u mbajtën gjatë këtij aktivitetei festiv.
Punimet artizanale të kësaj zone, veprimtari kulturore dhe artistike të shkollave të rrethit siç ishte panairi i Arteve dhe Zejeve, e zbukuruan akoma më shumë këtë aktivitet.
Një koncerte me artistë dibranë dhe talente të reja u mbajt në sheshin e qytetit të Peshkopisë, ndërsa qytetarët dhe vizitorët mundën të shijonin edhe ushqimet tradicionale, të vizitonin panairin përgjatë pedonales duke njohur më mirë bukuritë natyrore të kësaj zone, shkruan ATSH.
Me një shtrirje në të gjithë qytetin e Dibrës, aktiviteti jo vetëm argëtoi qytetarët që kishin tejmbushur rrugët e këtij qyteti në kuadër të festimeve edhe të Ditës së Shën Gjergjit, por vecanërisht promovoi potencialet e shumta turistike si një ftesë për vizitorët.