Ish-ministri i komuniteteve për kthim në Kosovë, Aleksandar Jablanoviç, në një prononcim për GazetaBlic ka folur për shkarkimin e ekipit menaxhues të Asociacionit, nga Qeveria Kurti.
Jablanoviç nuk e përjashton faktin që ekipi menaxhues u shkarkua pas kryeministrit Kurti nuk i ka pëlqyer draft-statuti.
‘’Nuk jam plotësisht i sigurt se cila është arsyeja e vërtetë e largimit të ekipit drejtues për hartimin e Statutit të AKS-së? A është arsyeja e mosbashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës apo sepse kryeministri Kurti nuk i ka pëlqyer drafti i Statutit”, tha Jablanoviç.
Jablanoviç e quan vendim jo të duhur të Qeverisë Kurti shkarkimin e ekipit menaxhues, pasi sipas tij lëvizjen e njëanshme nuk janë të mira.
Jablanoviç kritikoi edhe ekipin menaxhues, ku theksoi se kontaketet e tyre me Qeverinë e Kosovë do të duhej të ishin më të ngushta.
“Para së gjithash, mendoj se lëvizjet e njëanshme nuk janë të mira dhe konstruktive. Qeveria nuk duhet të kishte zëvendësuar ekipin drejtues. Në anën tjetër, besoj se ekipi menaxhues është dashur të ketë kontakte më të ngushta me Qeverinë e Kosovës si dhe me Qeverinë e Serbisë dhe nuk është dashur të ndodhë që kryeministri i Kosovës të mos e dijë se çfarë shkruhej në draft Statuti”, shtoi ai.
Sipas Jablanoviqit krejt çka po ndodhë rreth çështjes së Asociacionit, nuk po shkon as në favor të Kosovës, as në atë të Serbisë.
“Besoj se e gjithë kjo që po ndodh rreth Asociacionit nuk është në favor të serbëve nga Kosova, por as në favor të Qeverisë së Kosovës. Pas 10 vitesh, ne duhet ta mbyllim këtë çështje në mënyrë pragmatike dhe duke u dhënë serbëve një organizim adekuat që do të mbrojë plotësisht të drejtat tona në Kosovë, do të kemi stabilitet dhe përparim për të gjithë”, thotë Jablanoviç.
“Natyrisht se në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjet ka një nivel shumë të lartë të të drejtave për serbët, por praktika ka treguar se institucionet nga niveli qendror i pushtetit ua kanë penguar ato të drejta serbëve dhe për këtë është e nevojshme që AKS të ketë kompetenca të qarta ekzekutive”, tha tutje ai.
Vendimi për të zëvendësuar ekipin menaxhues për Asociacionin, sipas Jablanoviçiqit, duhet të rishikohet përsëri.
“Besoj se arsyet e zëvendësimit të ekipit drejtues nuk i kanë marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe një vendim i tillë duhet të rishikohet edhe një herë dhe t’i jepet mundësia për të ndryshuar disa gjëra”, tha ai.
Me këtë vendim, Jablanoviq thotë se pala kosovare dhe ajo serbe po humb një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje në interes të qytetarëve.
Jablanoviq paralajmëron se pas kësaj gjendjeje ku jemi rreth Asociacionit, BE-ja do të dërgojë një tekst të statutit ku më nuk do të ketë bisedime Kosovë-Serbi.
“Ndryshimi i ekipit drejtues vetëm na ndalon dhe shtyn punën e mëtejshme për themelimin e AKS-së, e cila më pas ngadalëson shumë procese të tjera. Kam frikë se ky lloj raporti ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do ta çojë BE-në së shpejti në një situatë ku thjesht do të marrim nga BE-ja një tekst të Statutit, rreth të cilit nuk do të ketë më diskutime mes Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj se po humbasim një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje në interes të qytetarëve dhe jo të pikëpamjeve politike të Qeverisë së Serbisë dhe Kosovës”, tha Jablanoviç.
Kujtojmë se, vetëm një ditë pasi prezantoi në Bruksel draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Qeveria e Kosovës e shkarkoi nga detyra ekipin menaxhues që ishte themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016.
Ekipi menaxhues përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq, në atë kohë përfaqësuese e Listës Srpska, tani deputete në Kuvendin e Serbisë, nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiq.
Lajmin për shkarkimin e ekipit menaxhues e bëri të ditur Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi.
Ai tha se “ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel”.