Ibrahim Kadriu, poeti, prozatori dhe publicisti, autori i rreth 90 librave të botuar, i përkthyer në disa gjuhë të huaja vjen në një intervistë ekskluzive për gazetën InLajmi.
Kadriu është romansieri më i shquar shqiptar i ditëve tona, i cili dallohet për larminë tematike, trajtesën origjinale, mjeshtrinë e rrëfimit dhe përshkrimin funksional dhe të përgjithshëm.
Mund të thuhet se Kadriu është një nga romansierët me më zë të Kosovës, i cili gjatë 4 muajve të këtij viti, ka përjetuar edhe një sukses të madh në fushën e letërsisë. 5 romane të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Deri më tash, krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut, në gjuhë të huaja regjistron gjithsej 20 botime. Prej këtyre, vetëm pas vitit 2000 e këndej, 18 botime duke e bërë Kadriun që të gëzojë privilegjin e shkrimtarit më të përkthyer në Kosovë.
InLajmi: Keni bërë një rrugë të gjatë letrare, duke filluar me botime librash që nga vëllimi poetik “Netët e Karadakut” të botuar më 1969, duke vazhduar, pa u ndalur deri në ditët e sotme. A mund të përshkruani ecejaket tuaja si shkrimtar gjatë gjithë kësaj rruge?
Ibrahim Kadriu: Vërtet është rrugë e gjatë kur i mendoj dekadat e kaluara, gjithnjë i preokupuar me gjetjen e shprehjeve më të avancuara artistikisht që do t’i shkonin për “shtati” një vepre apo tjetër, që ta mundësonin krijimin artistik të jetë i përshtatshëm për shijen e lexuesit. Me këtë përgjegjësi kam vazhduar rrugën krijuese, fillimisht duke i qëndruar, si të them, gatitu, vargut poetik të sistemuar në disa vëllime të botuara kryesisht viteve të shtatëdhjeta, për të vazhduar edhe në faqet e prozës, të tregimeve dhe romaneve. Angazhimi i përhershëm (që nga viti 1968) në gazetën “Rilindja”, fillimisht gazetar e reporter i lirë, e pastaj në detyrën e redaktorit të kulturës, më ka dhënë mundësi të kontaktoj me personalitete të artit dhe të kulturës, që ishte një mundësi reale për të këmbyer përvojat e preokupimeve tonat dhe, kësisoj, në këtë rrugëtim kam arritur sigurinë e përkushtimit në fushën e krijimtarisë. Ajo kohë, domethënë e fillimit, iu dha forcë hapave të avancimit të vazhdueshëm e që stimulohej edhe nga vlerësimet e kritikës së kohës. Një mbështetje e konsiderueshme, aso kohe, pra, më është dhënë nga recensentët, nga njohësit e rrjedhave të letërsisë. Aso kohe ekzistonin rubrikat e posaçme në faqet e gazetave në të cilat trajtoheshin botimet. Ato rubrika mund të çmoheshin edhe si një lloj shkolle orientuese për autorin. Mund të them lirisht se nga ato shkrime, që kishin të bënin me librat e mi, merrja kurajë të vazhdoja pa ndërprerje në shumë lloje të shkrimeve duke filluar nga shkrimet gazetareske, pastaj nga recensionet për filma të shfaqur (e pata zëvendësuar Anton Pashkun që kryesisht shkruante recensione për filma) humoreska, shkrime satirike siç ishin shkrimet në rubrikën javore “Njëmijë e një net”, reportazhet, e kështu me radhë. Por, natyrisht, shkrimet kryesore mbetnin ato letrare: poezi dhe prozë. Mes viteve të shtatëdhjeta, pas disa vëllimeve me tregime, kryesisht për fëmijë, kam botuar romanin e parë me titull “Pas kthimit” e që më vonë u realizua në formën e serisë televizive me titull “Fidani” që pati një sukses të jashtëzakonshëm…

InLajmi: Nga përgjigja e pyetjes së parë shihet se keni shkruar poezi, tregime, romane, recensione…Cili është zhanri që për ju ka qenë më i dashuri dhe ku mendoni se e keni dhënë më së shumti potencialin krijues?
Ibrahim Kadriu: Çdo krijim, i shkruar me seriozitet, për autorin është i dashur. Dua të them se nuk mund të veçoj. Sikur t’ia bëje pyetjen një prindit se cili nga fëmijët është më i dashur, do ta ketë vështir të veçojë njërin nga tjetri. Për prindin të gjithë janë të dashur, prandaj në këtë aspekt e them se për mua të gjitha veprat janë të dashura. Nuk i takon autorit të vlerësojë librin e vet si të dashur, apo të padashur. Vlerësimi i mbetet lexuesit. Ndërkaq në pyetjen se në cilin zhanër kam dhënë më shumë potencialin krijues, e them pa hezitim: në zhanrin e romanit. Viteve të fundit kryesisht ia kam kushtuar vëmendjen krijimit të romanit dhe në këtë drejtim e kam arritur numrin prej 37 romaneve që hyjnë në kuadër të afro 90 veprave që i kam botuar gjer më sot.
InLajmi: A mund të nisemi, ta zëmë, nga ndonjë episod biografik, i hershëm, i cili ka ndikuar në formimin tuaj si shkrimtar?
Ibrahim Kadriu: Është pyetje interesante pikërisht pse më kthen në një kohë kur isha fëmijë, nxënës në klasën e pestë të fillores. E kisha shprehi leximin, prandaj e vizitoja shpesh bibliotekën në fshat (në Zhegër) dhe merrja libra të ndryshëm, kryesisht për fëmijë. Derisa lexoja e bindja veten se, edhe unë, mund të shkruaja dhe, me atë vullnet, i shkrova tri vjersha. Të them se ato 3 vjersha i kam përshkruar shumë herë, duke i shkurtuar ose shtuar ndonjë varg dhe isha i bindur se i kisha përkryer. Me atë bindje fëmije, në orën e mësimit, duke u dridhur mbase edhe duke u djersitur, ia pata dhënë arsimtarit të shqipes, duke qenë i bindur se ai do të më tregonte për vlerën e tyre. Kaluan disa ditë në pritje, mbase edhe disa javë, arsimtari nuk më tha gjë. Duke kaluar koha në pritje e binda veten se ato vjersha mund të kishin qenë shumë të mira dhe se, sipas bindjes time fëmijërore, arsimtari mund t’i kishte ndalur për vete. Me këtë bindje, gjithnjë duke i dhënë vetit kurajë, vazhdoja t’i mbushja faqet e fletores me vargje, por, meqë ra fjala për atë kohë të hershme, të them se aso kohe vizatoja shumë. Arsimtar të vizatimit e kisha Adem Kastratin, i cili më vonë u bë piktor i njohur, dhe ai ma nxiste vullnetin. Ishte pranvera e vitit 1957 kur, rastësisht arsimtari i Edukatës Fizike, Enver Gjinolli i pa disa nga vizatimet e mia. I befasuar, më tha që, disa nga vizatimet t’i dërgoja në adresën e revistës “Zani i Rinisë”. Adresën e revistës ma shënoi në fletore arsimtari Enver dhe unë i dërgova katër vizatime. Në numrin e ardhshëm, në rubrikën e postës me lexuesit, e pashë emrin tim dhe shpjegimin e redaksisë: “Punimet na kanë pëlqyer, por nuk mundemi t’i botojmë, sepse janë realizuar me laps. Punimet duhet t’i realizoni me tush”. Unë nuk dija çka ishte tushi. Isha shumë i gëzuar dhe iu drejtova arsimtarit Enver, duke ia treguar përgjigjen e redaksisë. Ai pastaj ma solli tushin. I bëra disa vizatime dhe, tashti që e dija adresën, ia dërgova redaksisë. Në numrin e ardhshëm të saj, i gjeta të botuara 2 vizatime për të cilat më erdhi honorari me vlerë sa gjysma e rrogës të një arsimtari. Ishte rast i jashtëzakonshëm për mua, por edhe për postierin i cili në fillim nuk ma jepte kambialin, meqë nuk besonte… Ja, kështu ishte fillimi ndikues që unë të merresha me krijimtari, por jo në artin figurativ, veç në letërsi…
InLajmi: A mendoni se jeni poet, apo prozator i mirë. A mund të flitet për një raport mes poezisë dhe prozës?
Ibrahim Kadriu: Se a jam i mirë si poet, apo si prozator, nuk mund të përgjigjem. Kjo pyetje do t’i takonte lexuesve të sinqertë. Megjithëkëtë në çdo vepër të re jam përpjekur të jap maksimumin e përkushtimit, duke u mbështetur përvojën në veprën paraprake tek e cila kam hetuar mangësitë. Ndërkaq te vazhdimi i pyetjes rreth raportit të poezisë dhe prozës, mund të them se ai raport ekziston dhe mund ta vërejë lexuesi.
InLajmi: Jeni një ndër shkrimtarët më të përkthyer. Si ndjeheni meqë e gëzoni këtë privilegj?
Ibrahim Kadriu: Përkthimi i veprave në gjuhë të huaja e ka vlerën e shumëfishtë jo vetëm për autorin, por edhe për rrethin ku ai autor krijon. Është e natyrshme të ndjehem mirë pas çdo vepre të botuar në gjuhë të huaj, sepse ofrohet mundësia e vlerësimit të lexuesve të atij mesi ku përkthehet dhe botohet vepra. Të them këtu se, deri tash, më janë përkthyer njëzet vepra në dhjetë gjuhë të ndryshme, në serbokroatisht, greqisht, turqisht, arabisht, italisht, suedisht, rumanisht, norvegjisht, frëngjisht…Vetëm në frëngjisht, bie fjala, janë përkthyer e botuar në Paris gjashtë romane, në mesin e tyre është përkthyer edhe “Misioni rus”, që është roman i ribotuar shumë herë në Kosovë e që kërkohet vazhdimisht. Në frëngjisht është botuar edhe romani “Kapërcimi i ujit të madh”, romani për tragjedinë e Tivarit, por me titull: “Rruga e vdekjes”. Ky roman gjatë këtij muaji u përkthye turqisht dhe u botua edhe në Stamboll.
InLajmi: Për fund, edhe një pyetje: sikur të ishit i ri dhe t’u jepej mundësia për të zgjedhur një profesion tjetër, cilin profesion do ta zgjidhnit?
Ibrahim Kadriu: Këtë që e kam, domethënë profesionin e shkrimtarit. Shqipe Vishaj /InLajmi/