Aurora Dollenberg, mjekja e 3 specializimeve me rezultate të larta, e cila jeton dhe punon në Gjermani vjen në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi.
Aurora Dollenberg është shqiptarja nga Patosi i Fierit, që ka emigruar në Gjermani dhe ka përfunduar specializimet për Mjekësi Familjare, Mjekësi të Urgjencës dhe Psikoterapi. Dollenberg arriti t’i kalojë të gjitha barrierat si një shtetase e huaj në Gjermani dhe të korrë suksese të mëdha në karrierën e saj profesionale.
Dollenberg është gjithashtu kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, e cila është themeluar në vitin 2019 dhe ka për qëllim lidhjen e mjekëve shqiptarë nga e gjithë Evropa, rritjen e mëtejshme akademike, shkëmbimin profesional dhe lobimin konstruktiv në nivel evropian për të gjithë shqiptarët.
InLajmi: Pse zgjodhët të bëheni mjeke?
Aurora Dollenberg: Mjekësia ka qenë një ndër ëndrrat e mia më të mëdha që në fëmijëri. Mjekësia është bartur te unë nga mamaja ime, e cila në kohën e komunizmit nuk arriti të bëhej mjeke, por ekonomiste, megjithatë ishte mamaja ajo që na barti dashurinë për mjekësinë si mua ashtu edhe motrës. Mjekësia ka qenë një ëndërr individuale, pasi qysh në fëmijëri e kam pasur atë “sindromin” e Nënë Terezës dhe dëshirën për të ndihmuar të tjerët, kështu që mjekësia ma dha mundësinë që ta plotësoja këtë ëndërr.
InLajmi: Na tregoni fillimisht për sfidat që keni hasur gjatë shkollimit tuaj?
Aurora Dollenberg: Shkollimi që nga shkolla e mesme deri në universitet ka qenë një rrugëtim i gjatë, i cili ka pasur sfidën kryesore të ishe një studente e shkëlqyer me notat maksimale sepse vetëm kështu mund të bëheshe mjeke.
Gjatë periudhës së fakultetit kam qenë shumë e angazhuar dhe mund të them që isha gjithmonë 2-3 kapituj para profesorëve, kështu që në leksionet e pedagogëve isha aty sa për të kontrolluar ato gjërat e paqarta që kisha mbi kapitujt tashmë të lexuar të librave, prandaj arrita që fakultetin ta mbyllja me një mesatare maksimale.
Ëndrra ime në atë periudhë ishte të bëhesha pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, por siç e dijmë karriera profesionale qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë është shumë e vështirë, pasi fatkeqësisht janë ende një monopol, i cili akoma nuk është transparent për të gjithë ata që e meritojnë, kështu që rruga e vetme për të realizuar ëndrren e një mjeke të doktoruar dhe me një karrierë të mirë profesionale ma realizoi Gjermania. Në moshën 24-vjeçare u largova, në rend të parë ngaqë nuk gjeta një vend pune dhe së dyti sepse doja të provoja atë ëndrrën evropiane të të qenit një mjeke e pavarur ekonomikisht nga shteti dhe një mjeke e cila mund të vërtetonte aftësitë e saj në konkurrencë dhe me mjekë të tjerë nga e gjithë bota, veçanërisht ata gjermanë.
InLajmi: Keni emigruar në Gjermani në moshën 24-vjeçare. Sa ka qenë i vështirë ambientimi në një shoqëri tjetër?
Aurora Dollenberg: Ishte shumë i vështirë ambientimi në një moshë madhore në shoqërinë gjermane. Mungesa e njohurisë së mirë të gjuhës në fillim dhe mosnjohja e kulturës së ftohtë gjermane e bëri integrimin shumë të ngadaltë dhe të dhimbshëm. Gjithashtu krijimi i një shoqërie me personelin mjekësor ishte pothuajse i pamundur sepse ata kishin barrierat e tyre shumë të mëdha ndaj të huajve. Duhej shumë vite punë dhe shërbim ndaj të tjerëve, në mënyrë që pranoheshe si e njëjtë apo e barabartë me ta.
InLajmi: A ka qenë për ju një privilegj vazhdimi i studimeve dhe punësimi në vend të huaj. A keni hasur ndonjëherë në trajtim inferior nga vendësit?
Aurora Dollenberg: Faktikisht në Gjermani të studiosh mjekësi është sfidë edhe për vetë gjermanët, pasi këtu duhet të kesh notat maksimale në gjimnaz që të marrësh të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë, por gjithashtu është edhe një investim shumë i madh sidomos nga ana e shtetit për të bërë një mjek të ri, pasi kushton diku 200 mijë euro diplomimi i një mjeku, duke qenë se pjesa e praktikës ka kosto maksimale. Ti ke mundësi që të futesh në salla operatore dhe të bësh praktika të vazhdueshme në klinikë, gjë që nënkupton se në momentin e diplomimit si mjek ti je shumë i formuar jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht, gjë që i mungon Fakultetit të Mjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri.
InLajmi: Keni kryer 3 specializime në Gjermani, si specialiste e Mjekësisë Familjare e Urgjencës dhe Psikoterapisë. Si arritët që të keni tërë këtë sukses në moshën 34-vjeçare, çfarë ju motivoi kur ishit në vështirësi?
Aurora Dollenberg: Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë, të cilin e kam filluar me mjekësinë interne për të bërë më pas specializimin e mjekësisë familjare. Kisha shumë dëshirë që të isha shumë e përgatitur edhe për urgjencat mjekësore, kështu që e bëra edhe një specializim ekstra për mjekësinë e urgjencës. Më vonë duke e parë në praktikën e përditshme se sa të prekur ishin pacientët nga problemet psiqike vendosa që të studioja edhe për 5 vite të tjera edhe psikoterapinë, për të cilën po ashtu jam e specializuar.
Është e vështirë që të gjitha këto specializime t’i aplikosh në të njëjtën kohë, por në 2 klinikat e mia më lejohet që pacientët t’i trajtoj në këto 3 cepa të mjekësisë qoftë në anën psikologjike, qoftë nëse ata kanë një urgjencë apo problematika të mjekësisë familjare, pa qenë e detyruar t’i dërgoj pacientët në spital.
Vitet e gjata të specializimit më kanë lejuar që unë të ndihem shumë e sigurt dhe e kënaqur me aftësitë e mia, gjë që edhe pacientët e ndiejnë çdo ditë.
InLajmi: Jeni kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë. A mund të na tregoni se si erdhi ideja për themelimin e saj dhe sa ndiheni krenare për suksesin e federates deri tani?
Aurora Dollenberg: Unë prej 2 vitesh jam presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë. Themelimi i saj në Gjermani dhe regjistrimi i saj si një shoqatë e vetme jofitimprurëse në nivel evropian ka ndodhur pikërisht në vitin 2019. Federata e Mjekëve në Evropë ka një histori 16-vjeçare. Është themeluar si ide që në kohën e Fakultetit të Mjekësisë, kur unë isha në vit të 2-të, kjo në një koperim që atëherë kemi pasur me studentët e mjekësisë nga Gjermania, pikërisht nga Dusseldorfi. Që në fillesat e federatës, gjermanët na dhanë një shtysë apo motivim me modelin që na sollën se si të bënim ekzaminimet dhe praktikat mjekësore, në mënyrë që të dinim si të organizoheshim më mirë si mjekë të rinj.
Ndihem shumë krenare për të gjitha sukseset e federatës sepse pas saj fshihet një punë e madhe. 18 konferenca janë realizuar deri tani, trajnime pa fund dhe seminare online sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Të gjithë aktivistët apo anëtarët e federatës kanë qenë shumë të angazhuar për përcjelljen përmes të gjitha rrugëve për trajtimin e Covid-19, duke dhënë kështu konsulta falas online, por jo vetëm. Kemi kontribuuar gjithashtu për sigurimin e më shumë se 100 mijë dozave të vaksinave nga Norvegjia në Kosovë dhe Shqipëri. Gjithashtu kemi dhënë ndihma edhe për familjet, të cilat si pasojë e pandemisë mbeten të izoluar dhe u varfëruan. Ndihma që kemi dhënë si federatë ka qenë jo vetëm rrjedhëzimi i mjekëve në të gjithë Evropën deri tani, por edhe sensibilizimi ndaj sëmundjeve të ndryshme që prekin shoqërinë shqiptare.
InLajmi: Kohëve të fundit, Kosova dhe Shqipëria po përballen me ikjen masive të mjekëve. Çfarë veprime duhet të ndërmarrin të dy shtetet që të parandalojnë largimin e tyre?
Aurora Dollenberg: Shqipëria dhe Kosova prej më shumë se 10 vjetësh po humbasin vazhdimisht mjekë. Në 5-vjeçarin e fundit ka dominuar ikja e infermierëve. Sipas statistikave që kemi nga qeveria gjermane, më shumë se 5.000 mantelbardhë kanë emigruar nga trojet shqiptare në 5 vitet e fundit, nga ta 1.500 janë mjekë ndërsa 3.500 janë infermierë, fizioterapistë dhe të tjerë. Një trend tjetër që po vëzhgojmë si federatë është edhe largimi masiv i farmacistëve dhe i dentistëve, gjë që tregon se të qenit biznismen, mjek apo farmacist nuk është më aq profesion i suksesshëm apo fitimprurës siç ka qenë para 10 vjetësh, kështu që Gjermania është bërë destinacioni i ri për këto profesione.
Mund të themi se kjo “hemorragji” masive e mantelbardhëve nënkupton një boshatisje e profesionistëve të shëndetit në Kosovë dhe Shqipëri. Pritet që në një prognozë 5-vjeçare të kemi një numër shumë të ulët të mjekëve dhe infermierëve që duan të qëndrojnë në Shqipëri dhe Kosovë, gjë që nënkupton që qeveritë e të 2-ja vendeve duhet të ndërmarrin urgjentisht masa për parandalimin e kësaj dukurie. Me masa nënkuptojmë rrijten e rrogave, përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive për krijimin e një karriere të sigurt profesionale.
InLajmi: Për fund, na thoni se çfarë keni mësuar gjatë rrugëtimit tuaj. A do të ndanit me lexuesit një këshillë që ju ka motivuar gjithmonë për të vazhduar përpara?
Aurora Dollenberg: Është shumë e vështirë që të këshillojmë secilin sepse nevojat që ka çdo person janë shumë individuale. Unë në klinikën e përditshme gjithmonë përpiqem që të marr kohë për secilin prej pacientëve të mi, në mënyrë që të kuptoj se cilat janë vështirësitë që ai ka për të përballuar sfidat e së përditshmes, por një gjë na bashkon të gjithëve. Është shumë e rëndësishme që të mësojmë se si të rrisim vetëvlerësimin dhe dashurinë ndaj vetes. Vetëdashuria është një princip bazë dhe rezultati që duam të arrijmë në çdo psikoterapi që bëhet me pacientët.
Edhe ne si popull në momentin që do të ndihemi krenarë për veten tonë dhe arritjet tona, në atë moment do të kemi një të ardhme kombëtare më të mirë dhe më të suksesshme sepse vetëm duke e vlerësuar vetën tonë do të mund të respektojmë të tjerët dhe të gjitha grupet e rëndësishme të shoqërisë shqiptare qoftë profesionistët e shëndetit, qoftë të moshuarit, qoftë fëmijët jetimë apo gratë e divorcuara. Pra, vetëm duke respektuar dhe mbështetur të gjitha grupet vunerable, vetëm atëherë do arrijmë të krijojmë një shoqëri shqiptare të fuqishme, e cila do sigurojë një të ardhme më të mirë, më të sigurt drejt Evropës. Këshilla ime për çdo shqiptar është “Mos u dorëzoni asnjëherë, besoni te vetja dhe do të kaloni çdo sfidë!”. Shqipe Vishaj /InLajmi/