Dhënia e zekatit, nata e kadrit e falja e namazit të bajramit janë disa nga temat që hoxha i nderuar Elbasan Xani i ndau këtë javë në një intervistë ekskluzive për InLajmin.
InLajmi: Muaji i Ramazanit është muaji i shenjtë dhe agjërimi është obligim i secilit mysliman, kush përjashtohet “falet” nga agjërimi?
Elbasan Xani: Agjërimi i muajit Ramazan është një detyrim islam dhe një nga 5 shtyllat kryesore të tij. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183)
Feja islame është e bazuar në lehtësim e jo në vështirësim. Zoti i Lartë madhëruar e di aftësinë dhe mundësinë e njeriut, për këtë arsye edhe në disa raste ka bërë lehtësime për myslimanin. Kështu edhe për agjërimin e ramazanit ka disa kategori që nuk e kanë obligim atë.
Rastet kur lirohet personi nga agjërimi janë: Sëmundja, shtatzënia, gruaja e cila i jep gji fëmijës, udhëtimi , gruaja me menstruacione dhe lehoni, pleqëria e rëndë, çmenduria, lufta e ashpër, presioni apo imponimi për mos agjërim, paraqitja e urisë deri në alivanosje.
InLajmi: A mjafton vetëm agjërimi për të kryer obligimin tonë si mysliman apo nuk plotësohet nëse nuk bëjmë namaz?
Elbasan Xani: Si namazi ashtu dhe agjërimi janë prej shtyllave të Islamit. Shumica e juristëve myslimanë (përfshirë medh’hebin hanefi, maliki dhe shafi’i), janë të mendimit se personi që pohon se namazi është detyrim hyjnor dhe nuk e fal atë nga dembelizmi, nuk bie në faleshim (nuk shpallet renegat) dhe rrjedhimisht nuk i asgjësohen veprat e tij. Sipas këtij mendimi, agjërimi i këtij personi është i saktë (i vlefshëm) dhe i shpërblyeshëm. Por, Agjëruesve të cilët nuk falin namazin duhet t’u flitet me butësi dhe urtësi dhe të këshillohen vazhdimisht që krahas agjërimit të falin edhe namazin dhe t’u bëhet e qartë rëndësia dhe pozita e namazit në Islam, por kurrsesi të mos përjashtohen njerëzit nga dera e mëshirës dhe besimit.
InLajmi: Nata e Kadrit njihet si dita më e veçantë e këtij muaji, na flisni pak më gjerësisht pse kjo veçantit e Natës së Kadrit?
Elbasan Xani: Nata e Kadrit doli ne skene ne momentet e shpalljes, sepse Kur’ani, nga Levhi Mahfudhi, filloi te zbresë në këtë natë, qe njerëzimi të marrë përkatësi të fesë së pastër. Ajeti إن أنزلناه في ليلة القدر Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit…( Kadr 1), d.t.th. filloi zbritja e Kur’anit nga Levhi Mahfudhi, i cili ishte ne botën e fshehtë (Alemul Gajbin) dhe se zbritja e Kur’anit është një e mirë, e cila as me mund e as me dituri të askujt nuk mund të arrihet. Kjo natë u emërtua me emrin “kadr” që tregon për vlerën dhe pozitën e lartë që e ka kjo natë, siç përdoret kur thuhet për dikë ka pozitë të lartë. Adhurimi gjatë kësaj nate ka pozitë të lartë d.m.th kadri i saj është i madh, siç ka ardhur në hadithin e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të,: ”Kush fal namaz nate, Natën e Kadrit duke besuar dhe shpresuar shpërblimin e Allahut i falen gjynahet e mëparshme”. Kjo natë gjendet në 1- netët e fundit të Ramazanit dhe atë në netët (tek), argument për këtë kemi fjalën e Muhamedit a.s i cili ka thënë: Kërkojeni Natën e Kadrit në netët (tek) të 10 ditëve të fundit te Ramazanit.(Transmeton Buhariu)
InLajmi: Kur flasim për “vitrat” duam të mësojmë më shumë rreth këtij obligim fetar. Pra çfarë janë vitrat, pse duhet ti japim e kur duhet ti japim?
Elbasan Xani: Me këtë për qëllimohet dhënia e zekatit, respektivisht vitrave ne Ramazan. Si rit është obligim për çdo mysliman, të lirë e rob, mashkull e femër, të madh e të vogël. Është ligjësuar që të jetë pastrim për shpirtin e agjëruesit, për gjërat, për të cilat mendon se i ka anashkaluar apo nuk i ka përfillur siç duhet. Ebu Davudi, Ibni Maxhe dhe Darekutniu transmetojnë nga Ibni Abbasi se Pejgamberi Alejhi selam e obligoi zekatul fitrin si pastrim të agjëruesit nga fjalët e këqija dhe marrëdhëniet seksuale, ndërsa si shpresë për të ngratin. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar (inshaAllah) ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet sadaka-lëmoshë e rëndomtë. I obligohet njeriut për vete dhe për ata që i ka nën mbikëqyrje, si gruaja, fëmijët.
InLajmi: Pse namazin e Bajramit e falin vetëm meshkujt, por jo edhe femrat, a është vetëm për shkak të rrethit shoqëror apo ka ndonjë shpjegim ndryshe në aspektin fetar?
Elbasan Xani: Prej sunetit(traditës profetike) është që gratë të dalin me burrat në ditën e Bajramit në musala (vend faljen e Bajramit).Nëse në xhami ka vend të caktuar edhe për femra, atëherë dalja e tyre në namaz të Bajramit është obligim sipas disa dijetarëve islam. Prandaj mos dalja e grave tona në xhami për Bajram është një mentalitet i krijuar nga fanatizmi, e assesi nga Islami Shpresoj qe kjo traditë të ndryshoj sa më shpejtë të jetë e mundur!. Libona Gegaj /InLajmi/