I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka cilësuar se arsyetimi publik i presidentes Osmani për moscaktimin e kryeprokurorit të Shtetit ishte skandaloz. Ndër të tjera, ai ka deklaruar se Osmani po cenon funksionin primar kushtetues, që është funksionimi normal i institucioneve shtetërore.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po cenon funksionimin normal të institucioneve shtetërore, duke shkelur njëkohësisht edhe të drejtat e njeriut për të gjithë aplikantët për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit që mbetet akoma i pacaktuar nga ajo.
I ftuar në “Debat Plus”, Hasani ka cilësuar se arsyetimi publik i saj ishte skandaloz, dhe se përgjigjja do të duhej të ishte e prerë.
“Arsyetimi publik pse nuk e ka nënshkruar është skandaloz, i papranueshëm…Presidenti i Republikës ose shefshteti, i cili funksionin bazik e ka të përkujdeset për funksionimin normal të institucioneve shtetërore, një prej tyre është edhe kryeprokurori i shtetit, nuk mundesh…ajo nuk e garanton funksionimin normal, sepse ushtruesi i detyrës nuk është garantuar prej presidentes. Është caktuar prej mekanizmave rregullativ të brendshëm. Ajo nuk ka të drejtë që asnjëherë të rrezikojë funksionimin normal të institucioneve. Duhet të thotë PO-JO, nuk mund të thotë po i pres palët…i cili ishte arsyetim absurd, skandaloz?”, ka deklaruar ai.
I pyetur se a i bie kjo që presidentja po i shkel të drejtat e njeriut, ai tha se po e bënte “në mënyrën më brutale të mundshme”.
“Ajo ishte shkelje brutale e të drejtave të njeriut, të atyre që kanë konkuruar, që të gjithëve… në mënyrën më brutale të mundshme dhe po cenon funksionin primar kushtetutes, funksionimin normal të institucioneve shtetërore”, shkruan Dukagjini.
Ende nuk dihet se kur Kosova do të ketë kryeprokuror të Shtetit, derisa kanë kaluar më shumë se 10 muaj që kjo pozitë udhëhiqet nga një ushtrues detyre.