Zëdhënësja Politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se pushteti i tanishëm ka filluar të transformohet në ‘popullizëm të një niveli të frikshëm, që ka primesa të një paradiktature’, pas komenteve të sotme të ministres Albulena Haxhiu, e cila tha se Gjykata Kushtetuese po i jep “goditje” Republikës së Kosovës, pas vendimit të kësaj të fundit për rrëzimin e ligjit për Këshillin Prokurorial.
Halimi tha se komentimi i verdikteve të gjyqësorit nga një ministre e Drejtësisë, për më tepër të gjyqësisë kushtetuese, ‘është jo vetëm ndërhyrje në drejtësi – në një pushtet të ndarë , por edhe krim, ngase paraqet mësymje antishtet!’.
“Nëse ka diçka sistemore që është respektuar dhe pranuar pa mëdyshje, nga i gjithë spektri politik në Kosovë, ato janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një bartësje të pushtetit politik si Albulena Haxhiut megjithatë nuk po i pëlqen kthimi në zero i Ligjit për Këshillin Prokurorial. Nuk i përshtatet sistemi sepse ka fituar vota duke e kombinuar protestën e ligjshme me dhunën!?”, ka shkruar Halimi
“Nuk mund të synohet ‘çkapja’ e institucioneve siç pretendon partia në pushtet dhe të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Qytetarët e vendit duan sundim të ligjit e jo propagandë”.
“LDK nuk do ta lejojë që vlerat bazë të funksionimit të shtetit demokratik e ku pushtetet janë të ndara, të cënohet me lehtësi të padurueshme!”, përfundoi Halimi.