Genc Tukiçi, pianisti dhe kompozitori i cili u rrit me frymën dhe dashurinë për pianon dhe muzikën, arriti të shkojë përtej ëndrrave dhe të prekë skenat më të mëdha botërore, por duke e ruajtur gjithmonë dashurinë dhe adhurimin për atdheun e tij, Shqipërinë.
Kompozitori shqiptar ka bërë shumë regjistrime dhe ka krijuar pjesë për piano, të cilat mbështeten mbi temat e Puçinit, Verdit dhe Ofenbahut. Në vitin 2009 atij iu dha çmimi prestigjioz “Nino Rota” në Itali.
Në vitin 2012, reflektimet e tij muzikore u botuan në librin “ Piano ma non troppo” me titullin “Muzika ne 3D”.
Një CD e kompozimeve të tij, frymëzuar nga tema patriotike dhe interpretuar nga Inva Mula, u publikua në nëntor 2012, në të cilën përfshihen pjesë për soprano, piano dhe orkestër.
Genc Tukiçi ka kompozuar “Vals Hyjnor”, himn për Nënë Terezën, interpretuar së bashku me Inva Mulen dhe Bujar Llapajn. Gjithashtu muzikanti Tukiçi ka marrë pjesë në shumë Festivale të RTSH-së si kompozitor, pianist dhe orkestrues.
Se si ka lindur dashuria e tij për muzikën, cili ka qenë koncerti i parë i tij, për emocionet dhe eksperiencën e tij në skenat më prestigjioze në botë, vjen në një intervistë ekskluzive për InLajmin pianisti dhe kompozitori i njohur, Genc Tukiçi.
InLajmi: Si lindi dashuria juaj për muzikën dhe pianon?
Genc Tukiçi: Dashuria ime për muzikën dhe pianon ka lindur që prej kur kam qenë fëmijë. Si foshnje kam fjetur nën piano bashkë me muzikën. Babai im ishte këngëtar operistik, ai kishte një zë të fuqishëm. Mbaj mend si fëmijë që forca e zërit të babait tim nuk më shqetësonte, por më kënaqte. Lidhja me pianon dhe muzikën ishte një sentiment që më erdhi shumë natyrshëm. Unë kam filluar të luaj piano nga mosha 3-4 vjeç dhe për mua ishte një nga lojërat më të preferuara. Gati tërë kohën rrija pranë pianos dhe dëgjoja babain, por edhe vëllain tim Davidin teksa luante.
InLajmi: Cili ka qenë koncerti i parë dhe në çfarë moshe keni dalë për herë të parë në skenë?
Genc Tukiçi: Koncerti im i parë me sa mbaj mend ka qenë kur i kam pasur 6 ose 7 vjeç në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
InLajmi: Vini nga një familje muzikantësh, si ndiheni që e keni vazhduar këtë traditë të familjes në muzikë dhe për më tepër edhe vajza juaj Nadia e ka trashëguar këtë talent?
Genc Tukiçi: Babai im ishte një këngëtar dhe interpret shumë i zoti, po ashtu edhe vëllai im Davidi. Kam një krenari të brendshme që po e vazhdoj traditën familjare së bashku me Davidin sepse babain nuk e kemi më. Mund të them se vazhdimi i kësaj tradite për mua është jo vetëm krenari, por edhe një lloj përgjegjësie. E kam thënë edhe më herët, se nuk është e lehtë të jesh djali i Ibrahimit dhe vëllait i Davidit sepse janë “pesha të rënda” në punën e tyre dhe në këtë sens më shton përgjegjësinë që të jap çdoherë më të mirën në çdo skenë, ku jam nëpër botë. Nuk ia them kujt, por është një thirrje e brendshme që unë kur jam në skenë “Jam Genci, por jam edhe vazhdimi i traditës muzikore të familjes”, kështu që kam këtë përgjegjësi që t’i jap publikut më të mirën. Kurse sa i përket Nadias, unë kam katër fëmijë, që do të doja që të katërtit të ishin muzikantë, por Nadia ishte ajo e cila zgjodhi më shumë muzikën. Ajo tani studion për shkenca politike por paralelisht studion edhe muzikën. Nuk kam fjalë se krenar dhe i lumtur jam që Nadia po e vazhdon muzikën dhe atë sensin e të bërit muzikë me emocion. Nadia ka përqafuar esencën e muzikës, ajo që ishte edhe bërthama në familjen tonë, që të bësh muzikë me shpirt dhe të ndash shpirtin me të tjerët.
InLajmi: Cilat janë skenat më prestigjioze që keni përformuar, të cilat ju kanë lartësuar dukshëm në karrierë?
Genc Tukiçi: Kam luajtur në shumë salla që janë të njohura nëpër botë, por mendoj se nuk është skena ajo që e bën artistin, përkundrazi artisti e bën skenën.
InLajmi: Mes Shqipërisë, Kosovës, Evropës, Amerikës dhe vendeve të tjera ku keni përformuar, a do ta veçonit një moment që ju ka falur emocione të forta?
Genc Tukiçi: Natyrisht, kam një debulesë kur luaj në Shqipëri dhe Kosovë ose ku ka shqiptarë sepse është vendi im dhe janë njerëzit e mi. Pra, luan në shtëpinë tënde me njerëzit e tu. Kjo është një debulesë apo një intimitet i brendshëm që e kam me publikun shqiptar. Çdo koncert për mua është i veçantë, por do të veçoja koncertin në Vatikan, ku kam kompozuar “Valsin Hyjnor” për Nënë Terezën. Gjatë të shkruarit kam imagjinuar veten në një ballo, duke i kërkuar Nënë Terezës “A mund të vallëzoni me mua?” dhe përgjigja e saj ishte “Po biri im, me kënaqësi!” dhe kjo imagjinatë më ka përcjellur për kompozimin, pra duke e menduar veten dhe Nënë Terezën, duke vallëzuar të dy. Në një moment kur çoj kokën shoh rrotull meje që gjithë bota po vallëzon dhe është një vallëzim gjigant i paqes.
Kur është luajtur kjo muzikë në Vatikan, e kam pasur një ndjesi të veçantë sepse nuk isha Genci, por nëpërmjet Gencit përfaqësoja edhe Nënë Terezën që është një figurë e kombit tonë, por isha edhe si një përfaqësues i gjithë shqiptarëve. Në çdo koncert e ndiej që jam muzikant shqiptar, por koncerti në Vatikan më dha atë ndjesinë e veçantë si reprezentues për vendin tonë dhe shqiptarët. Përndryshe për mua çdo koncert është unik.
InLajmi: Si e arritët të keni tërë këtë punë kolosale, a e arritet falë mbështetjes së madhe apo falë kurajos dhe këmbënguljes që keni pasur gjithmonë?
Genc Tukiçi: Mbështetja ka ardhur nga njerëzit e afërt apo familjarët, të cilët e kuptojnë gjithmonë punën tënde. Mamaja ime thoshte “Jo çdo gjë që shndrit është ar”. Në skenë janë duartrokitjet dhe dritat dhe duket sikur çdo gjë shndrit, por pjesa që nuk shihet është një punë kolosale, është këmbëngulja, është edhe ajo sakrifica që bën një pianist apo muzikant, pasi nuk ka vikend e as pushime. Madje edhe kur ka pushime, aty gjithmonë është e fshehur një piano, pra janë pushime me punën brenda. E këto sakrifica tejkalohen nga dashuria për punën dhe muzikën, por edhe nga dashuria për të ndarë këtë sentiment me njerëzit. Andaj mund ta them se jeta e një muzikanti është shumë e bukur, por edhe shumë e vështirë, mirëpo fatmirësisht është familja që të mbështet gjithmonë.
InLajmi: A mund të na flisni pak për bashkëpunimin me Inva Mulën?
Genc Tukiçi: Bashkëpunimi me Inva Mulën i ka rrënjët shumë të thella. Prindërit tonë kanë qenë shumë të afërt, pasi babai im dhe babai i Invës janë rritur bashkë që në fëmijëri. Avni Mulën (babain e Invës) e kam konsideruar si xhaxhain tim dhe Inva për mua është si vajza e axhes në sensin familjar. Është krijuar një lidhje shpirtërore e artistike mes meje dhe Invës që kur kemi qenë studentë. Inva është një këngëtare e rrallë në shekullin që jetojmë. Ne kemi pasur fatin që rrugët tona të bashkohen dhe të bëjmë koncerte kudo nëpër botë. Kam kuptuar që të gjesh atë “shpirtin motër” nuk është kollaj, por unë e kam gjetur te Inva Mula. Unë dhe Inva “Jemi dy në një” dhe kjo ndjehet edhe në transmetimin emocional që kemi me publikun kudo nëpër botë.
InLajmi: A keni ndonje plan që së shpejti të nxirrni një CD tjetër me kompozime apo synoni të vazhdoni me koncertet?
Genc Tukiçi: Para 2-3 muajve kam përpunuar 6 këngët më të bukura të Feim Ibrahimit, i cili është një kompozitor i madh shqiptar. CD-ja me këto krijime do të dalë brenda vitit 2023. Regjistrimi i CD-ve dhe aktiviteti koncertal gërshetohen natyrshëm. Intervistoi: Shqipe Vishaj /InLajmi/