Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kësaj të mërkure miratoi projektligjin që rregullon çmimin e produkteve medicinale, përcjell InLajmi.
Për këtë foli i pari i ekzekutivit Albin Kurti i cili tha se barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme.
Më tej ai shtoi se projektligji që u miratua u mundëson qytetarëve që të përballojnë sëmundjet me barna të përballueshme.
Postimi i plotë i tij:
Barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme. Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të 2-ja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin.
Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, që e miratuam sot në qeveri, na mundëson të përballojmë sëmundjet me barna të përballueshme, të vendosim çmime tavan dhe të unifikuara për ilaçet. Që të ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe t’i mbrojmë ata nga abuzimi me çmime. /InLajmi/