Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në promovimin e grave krijuese nga Kultura, Universiteti dhe Mediat, ngjarje kjo organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të ZKM-së, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin, përcjell InLajmi.
Kurti fjalën e tij e nisi me faleminderit në vend të përshëndetjes, duke thënë se jemi falënderues e mirënjohës për kontributin e grave krijuese dhe ndikimin e tyre në progresin tonë shoqëror, në formimin e përjetimin tonë artistik.
“Duke nderuar sot intelektin e tyre, inkurajojmë vajzat e reja të ndjekin rrugën e mendimit dhe të krijimit. Ato e kanë bërë ndryshimin e madh duke mos pranuar të jenë veç muza por edhe krijuese. Ato e kishin të zgjidhur shumë qartë këtë raportin subjekt-objekt. Ato e ofrojnë edhe sot këtë model, jo vetëm për vajzat e reja, por për këdo që ka zgjedhur rrugën e origjinalitetit dhe shprehjes autentike. Vërtet nuk janë më me ne, por jeta llogaritet me punën. Ato kanë jetuar më shumë, se jetët e tyre ishin dinamike nga aktiviteti e të thella për nga krijimi”.
Kjo ngjarje i dedikohet kujtimit të grave krijuese, profesoresha universitare dhe gazetare që ndërruan jetë gjatë periudhës së Covid-it. /InLajmi/