Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i shqetësuar ka thënë se statistikat e largimit të qytetarëve nga Kosova janë të frikshme, raporton InLajmi.
Ai gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës para deputetëve tha se për dallim nga viti 2021 për vitin 2022 ende nuk dihet numri i saktë i largimit të qytetarëve, por që gjithsesi çfarëdo qofshin ato statistika janë të frikshme.
“Kemi lexuar statistika të frikshme të largimit nga vendi. Numri i qytetarëve që kanë emigruar në vitin 2021 është rreth 42 mijë e 700 qytetarë. Ende nuk e dijm numrin e saktë në total të vitit 2022 që kanë lëshuar Kosovën. Dje lexuam shifrat e frikshme të largimit të nxënësve, po lexojmë raportimet për ikjet e mjekëve nga institucionet tona. Sot lexuam nga Oda e Mjekëve janë larguar mbi 40 mjekë vetëm këta 2 muaj”, u shpreh Tahiri.
Nder të tjera Tahiri ka kritikuar Kurtin për deklarimin e tij të fundit ku tha se “disa largohen e të tjerët do të kthehen” gjë kjo e cila sipas tij tregon që Qeveria e Kosovës nuk ka një plan konkret të veprimit.
“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme. Jo vetëm për ata që nuk gjejnë punë, por edhe nga ata që kanë pasur punë e kanë mbetur pa punë. Qytetarët kanë hall si t’i mbajnë fëmijët në Kosovë e të mos largohen. Akoma më skandaloze bëhet intervista e Kurtit për Le Monde që thotë disa largohen e të tjerët do të kthehen. Nuk mund të flasim me kaq papërgjegjësi për largimin e qytetarëve. Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjent. Të ulë numrin e të rinjve që lëshojnë Kosovën”, tha Tahiri./InLajmi/