Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka publikuar një tabelë, në të cilën ka paraqitur subvencionet dhe investimet kapitale për vitin 2022 në krahasim me vitin 2019, përcjell InLajmi.
Hoti vlerëson se vendimet e Qeverisë së Kosovës për rritjen e subvencioneve për 70% dhe zvogëlimin e investimeve kapitale e sheh krejtësisht të gabuar.
Sipas Hotit, nuk ka zhvillim ekonomik me subvencione e transfere. Rritja e subvencioneve dhe transfereve është shenjë varfërie.
Hoti thotë se asnjë ekonomi nuk është zhvilluar duke e shpenzuar 42% të buxhetit në subvencione, por duke shpenzuar më shumë në investime kapitale publike edhe private.
Postimi i plotë i tij:

Mjerë për atë ekonomi ku rriten subvencionet e zvogëlohen investimet.
Shihni foton më poshtë. Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019:
– subvencionet dhe transferet janë rritur për +70%,
– investimet kapitale janë zvogëluar për -21%.
Nuk ka zhvillim ekonomik me subvencione e transfere. Rritja e subvencioneve dhe transfereve është shenjë varfërie.
Ja çfarë kanë bërë qeveritarët majtistë në vitin 2022:
– 41% të buxhetit e kanë shpenzuar në subvencione dhe transfere (më 2019 ka qenë 30%)
– 16% të buxhet e kanë shpenzuar për investime kapitale (më 2019 ka qenë 25%).
Ky raport do të duhej të ishte i kundërt. Kështu nuk zhvillohet ekonomia, por rritet varësia e qytetarëve nga skemat sociale. Asnjë ekonomi nuk është zhvilluar duke e shpenzuar 42% të buxhetit në subvencione, por duke shpenzuar më shumë në investime kapitale publike edhe private. Vetëm investimet e zhvillojnë ekonominë, pasi ato e rrisin kapacitetin prodhues. /InLajmi/