Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se prioritet i tij do të jetë sigurimi i profesionistëve mjekësorë në fushat deficitare, raporton InLajmi.
Kështu është shprehur ministri Vitia, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, derisa ka premtuar veprime konkrete edhe në përmirësimin e infrastrukturës spitalore.
“Urgjencat prioritare janë sigurimi i profesionistëve mjekësorë në fushat deficitare, zvogëlimi i listës së pritjes në nivelin terciar, ndërhyrjet infrastrukturore spitalore, vendosja e standardeve për pranimin e pacientëve”
Vitia theksoi se do të bëhet kontrolli i barnave, mbikëqyrja e intitucioneve private dhe të sigurisë. Gjithashtu ai premtoi se konkurset do të hapen me standarde të reja.
“Kontrolli i barnave, përfshirë edhe kontrollin e tregut, mbikëqyrja e institucioneve private dhe të sigurisë, reformimi i referimit të pacientëve jashtë shtetit, hapja e konkurseve me standarde të reja e kështu më radhë”, ka vazhduar Vitia.
Tutje, ministri tha se kanë filluar përgatitjet për sigurimin e ndërtesës së depos së barnave.
“Me qëllim funksionalizimit të ndërtesës së Emergjencës është bërë buxhetimi i mjeteve shtesë, me qëllim përfundimin sa më të shpejt. Kemi filluar përgatitjet për sigurimin e ndërtesës së depos së barnave, pasi kjo aktualja lë shumë për të dëshiruar”, tha Vitia, teksa përmendi edhe vaksinimin në Kosovë.
Vitia kujtoi se Kosova ka pasur një vaksinim relativisht të mirë ndaj Covid-19.
“Kosova ka pasur një vaksinim relativisht të mirë ndaj Covid-19, duke futur gjate sezonës vjeshtë-dimër në funksion edhe përdorimin e dozave bivalente përforcuese të Phizer te siguruara përmes COVAX, krahas dozave të mjaftueshme të siguruara më parë nga Qeveria dhe donatorët”. /InLajmi/