Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, ka thënë se marrëveshja me Serbinë nuk mund të arrihet tani, pasi vendi ynë nuk ndodhet në pozitë të favorshme për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar Serbia kohëve të fundit, raporton InLajmi.
Tahiri theksoi se dëmet e shkaktuara nga Serbia ndërlidhen me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe pengimin e mbatjes së zgjedhjeve në veri.
“Nuk kisha dashtë që të nënshkruhet një marrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe Serbisë, pasi Serbia kohëve të fundit na ka bërë dëme të mëdha. E para është angazhimi i shtetit serb në pengimin e zgjedhjeve në veri, çka edhe ka bërë që ato të mos mbahen. E 2-ta tërheqja e institucioneve nga veriu. Sot Kosova ka më pak sovranitet që do të duhej të kishte sovranitet më shumë. Është shumë e disfavorshme që kryeministri i vendit tonë të nënshkruajë në këso rrethana një marrëveshje me presidentin e Serbisë”, tha ai.
Tahiri tha se çështja e njohjeve nga Serbia dhe shtetet e tjera po “spostohet”.
“Që prej shpalljes së pavarësisë kemi njohje defakte sepse tani e tutje kemi arritur të konsiderojmë një numër të njohjeve dhe me qenë pjesë e organizatave të tjera, e disa të tjera kemi dështuar, por faktikisht për Serbinë jemi të pavarur defakto, por ajo që është e rëndësishme është arritja e një marrëveshje finale me një vend që kemi probleme. Por çështja e njohjes nga Serbia dhe vendet e tjera po spostohet”, tha ai. /InLajmi/