Për tipat e lëkurës, ngjyrën, hidratimin e fytyrës e deri te problemi më i shpeshtë që hasin shumica e njerëzve e që janë aknet, flet ekskluzivisht për InLajmin dermatologia Artizana Dushi, e cila shpjegon në aspektin profesional mënyrën se si duhet trajtuar aknet e bezdisshme dhe cilat ushqime duhet të eleminohen nga rutina e përditshme.
InLajmi: Si të dallojmë se çfarë lloji të lëkurës kemi?
Artizana Dushi: Lëkura e shëndetshme është barrierë mbrojtëse e organizmit. Ajo ruan baraspeshën dhe këmbimin e lëngjeve dhe ndihmon në rregullimin e temperaturës trupore. Është organ sekretor, ka funksion frymëmarrës, thithës, shërben si depo e yndyrës, ujit dhe gjakut. Mendohet se ka afro 36 nuansa të lëkurës. Ngjyrën e lëkurës e kushtëzon shpeshtësia dhe sasia e pigmentit melaninë. Melanina mbron lëkurën nga efektet e dëmshme të rrezeve të diellit, sidomos të atyre UV. Lëkura përbëhet nga 3 shtresa – epiderma, derma dhe hipoderma. Ekzistojnë 5 tipe të lëkurës – lëkura normale, lëkura e thatë, lëkura e yndyrshme, lëkura e kombinuar dhe lëkura sensitive. Lëkurë normale ka 20% e popullatës, lëkurë të thatë 10% e popullatës ndërsa lëkurë të yndyrshme 70% e popullatës.
InLajmi: Cili lloj i lëkurës është më mirë i balancuar?
Artizana Dushi: Lëkura normale është mirë e balancuar. Nuk është as e thatë as e yndyrshme, si rezultat i balancës së mirë të raportit ujë/yndyrë si dhe qarkullimit të mirë të gjakut. Lëkura normale ka teksturë të butë, të një trajtshme dhe të freskët. Është e pastër pa njolla dhe luspëzime. Ka ngjyrë dhe transparencë uniforme, qarkullim të mirë të gjakut dhe nuk është e pritur të jetë sensitive. Lëkura normale bëhet më e thatë gjatë procesit të plakjes.
InLajmi: A është më mirë që hidratimi i fytyrës të bëhet me ujë të nxehtë apo të ftohtë?
Artizana Dushi: Ngrohja ne shtëpi dhe zyre jep ngrohje të nxehtë por të thatë. Aparatet hidratuese shtojnë lagështinë në ajër dhe me këtë shmangin tharjen e lëkurës.Temperaturat në ambientet e mbyllura të banimit dhe punës duhet të jenë 22°C. Dushi duhet te zgjasë 5-10 minuta dhe duhet të përdoret uji i vakët e jo i nxehtë. Pas dushit përdorni hidratues për tërë trupin me qëllim që të ruhet barriera mbrojtëse e organizmit.
InLajmi: Meqenëse çdo i dyti ankohet nga problemet me aknet, cilët janë faktorët që ndikojnë në nxitjen apo shtimin e tyre?
Artizana Dushi: Aknet janë inflamacion i njësisë pilosebace. Janë shumë të zakonshme dhe prekin rreth 85% të të rinjëve. Nxitës te akneve mund te jetë – stresi emocional, disbalansi hormonal, ndryshimi i sebumit dhe brirëzimet folikulare, mikroorganizmat dhe prirja e trasheguar me reagim individual te lëkurës. Manifestohen si puçrra, papullopustula, noduj dhe ciste. Zgjasin disa javë deri në disa muaj.
InLajmi: Cila është mënyra më e mirë për t’i trajtuar aknet?
Artizana Dushi: Ndikimi psikologjik i akneve (i perceptuar si deformim kozmetik) vlerësohet në mënyrë individuale te çdo pacient dhe terapia modifikohet në përputhje me pacientin e veçantë. Mjekimi fillon herët dhe nuk ndërpritet kohë të gjatë.
InLajmi: Nga cila moshë bëhen më të shpeshta aknet?
Artizana Dushi: Mosha e fillimit – puberteti, te femrat 10-17 vjeç , te mashkujt 14-19 vjeç. Megjithate , mund të lajmërohen për herë të parë ne moshen 25 vjeç e më shumë. Shfaqen kryesisht ne fytyrë dhe trup.
InLajmi: Cilët ushqime i shkaktojnë aknet dhe cilat i eleminojnë ato?
Artizana Dushi: Këshillohet që ushqimi të jetë i zier, i përshtatshëm dhe i balansuar mirë, me shumë perime të freskëta. Yndyra në ushqim te zvogëlohet. Ushqimi i terur ose i konservuar, sheqeri si dhe pijet dhe lëngjet ngacmuese të pakësohen ose të mos përdoren fare. Nuk këshillohet rrezitja e sipërfaqeve me akne në diell, sepse mund te shkaktohen brirëzime folikulare dhe mbyllja e këllëfeve të qimeve. Yndyra e tepërt nga sipërfaqja e lëkurës pastrohet me ujë te vakët dhe sapun apo gel për pastrimi ne fytyrës 2 deri 3 herë në ditë. Preferohet të konsumohen sasi më të mëdha te ujit për shkak të hidratimit të lëkurës.
InLajmi: Si duhet të veprojmë gjatë sezonit të dimrit kur situata me lëkurën veçse bëhet problematike?
Artizana Dushi: Stinën e dimrit e karakterizojnë temperaturat e ulëta, erërat e ftohta dhe reshjet atmosferike. Dielli dimëror dhe kalimi i kohës në ajrin e freskët ka shumë benefite për shëndetin tonë duke na bërë të ndihemi më mirë dhe më të relaksuar. Gjatë stinës së dimrit preferohet perdorimi i kremave hidratues të cilët janë me bazë yndyrore të cilat permbajne vitamin C dhe E për arsye se vaji krijon një shtresë mbrojtëse e cila jep më shumë hidratim se kremi i bazuar ne ujë apo losioni dhe konsumimi i mjaftueshëm i ujit. Kur kemi të bëjmë me lëkurë të thatë mund të ndihmohet me marrjen e suplementeve Omega 3 dhe Omega 6 acide yndyrore. Rrobat gjatë dimrit duhet të jenë të përshtatshme dhe komode. Duhet së pari të vishet ndonjë bluzë e hollë pambuku që të mundësohet ajrosja e lëkurës e pastaj të vishet ndonjë bluzë më e trashë nga materialet tjera. Shqipe Vishaj /InLajmi/