Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, ka reaguar pas publikimit të komunikimeve mes ambasadorit të Kosovës në SHBA dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, në cilat shpaloset raporti i acaruar, përcjell InLajmi.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për degradimin e raporteve me SHBA-në.
Tahiri thotë se degradimi i raporteve me SHBA-në e ka vetëm një adresë dhe autorë dhe sipas tij, ata janë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Postimi i plotë i tij:
“Trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet”. Kjo është fotografia e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës tonë, që sot drejtohet nga Vjosa Osmani e Albin Kurti. Ky është i vetmi tregim që s’kemi besuar e pritur se do ta dëgjojmë ndonjëherë. Por ja që po ndodhë e po shpaloset përpara syve tanë. Degradimi i raporteve me SHBA-të, për Kosovën nënkupton një gjë të vetme: rrugën pa krye në drejtim të gabuar historik, politik e shtetëror. Për këtë gjendje, s’ka koment. Ka vetëm adresë dhe autorë: Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. /InLajmi/