Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës zhvilloi një agjendë të pasur takimesh me drejtues të lartë të APKE-së, të grupeve politike e të komiteteve, përcjell InLajmi.
Nga zyra e Kuvendit njoftuan se Konjufca dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi takime të ndara me Kryesuesin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Zsolt Németh, Kryesuesin e Grupit Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, Iulian Bulai, me deputetin nga radhët e delegacionit gjerman në APKE, Knut Abraham, si dhe me George Papandreu, nga radhët e delegacionit grek.
Në këto takime u diskutua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, rëndësinë dhe mbështetjen e nevojshme, për të siguruar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, progresin në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, gjë që dëshmohet nga raporte ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës.
Gjatë takimeve, u kuptua rëndësia dhe domosdoshmëria e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përderisa kryetari Konjufca kërkoi mbështetje në këtë proces.
Vizita në Strasburg po zhvillohet në kuadër të punimeve të seancës vjeshtore të APKE-së, e cila po mbahet në datat 23-27 janar 2023. /InLajmi/