Këshilltari për medie në Presidencën e Kosovës Bekim Kupina, i ka reaguar deputetes së PDK-së, Vlora Çitakut, e cila në një deklaratë tha se presidentja Vjosa Osmani nuk po reagon pavarësisht gjendjes së rënduar për shkak të vërshimeve në disa komuna të Kosovës, përcjell InLajmi.
Kupina e ka cilësuar deklaratën e Çitakut si “absurde”, duke i thënë se presidentja e vendit vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës.
Tutje, ai i thotë Çitakut se presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës. Presidentja poashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi.
Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten. Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani, gjithnjë është me qytetarët dhe punon gjithnjë për interesin e qytetarëve dhe të shtetit! /InLajmi/