Gjatë ditës së djeshme në media është raportuar për një kërcënim që thuhet të jetë bërë në drejtim të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Përpos Abdixhikut, të kërcënuar thuhet të kenë qenë edhe deputetët: Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
4 nga emrat më të rëndësishëm të LDK-së gjatë kësaj kohe janë kërcënuar dhe shantazhuar, e kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka thënë se janë duke e hetuar këtë rast të cilësuar si kanosje.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.
Ndryshe sipas informacioneve të para, kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Këto organe thuhet se kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të lartpërmendur.
Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar ish-kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Mustafa, i cili ishte i kërcënuar disa herë radhazi sa ishte në LDK dhe në krye të vendit.
Isa Musta tha se nuk ka informacione që të shprehet për këtë rrëfim që mbrëmë e ka dëgjuar përmes mediave.
Por ai tha se i vie keq për familjarët e individëve të apostrofuar.
“Nuk kam informacione që të shprehem për këtë rrëfim që e dëgjova mbrëmë në media. Në këtë rast më vjen keq për familjarët e individëve të apostrofua, që u janë shkaktuar frikë dhe brenga”,tha Mustafa.
Ai theksoi gjithashtu se asnjë Qeveri në Kosovë nuk është kërcënuar dhe atakuar dhunshëm, sikurse Qeveria e LDK-së.
“Asnjë qeveri në Kosovë nuk është kërcënuar dhe atakuar dhunshëm, sikurse qeveria e LDK-së. Jo vetëm kaq, por qytetarët kanë shpërblyer me vota veprimet dhe tentimet për likuidim, dhunën ndaj individëve, ndaj pronës private dhe asaj publike”,shtoi Mustafa.
Ish-kryetari i LDK-së tha se këto veprime kanë marrë licencë popullore.
“Këto veprime kanë marrë licencë popullore. Aktet kriminale janë konvertuar në akte politike”, theksoi ai.
Sipas Mustafës, rasti konkret duhet të marr përgjigjen e organeve të drejtësisë dhe atë derisa këto organe nuk janë kapur krejtësisht nga pushteti.
“Rasti konkret duhet të marr përgjigjen e organeve të drejtësisë dhe atë derisa këto organe nuk janë kapur krejtësisht nga pushteti”,shtoi ai.
Ndryshe Mustafa ishte i kërcënuar me atentat gjatë kohës sa ishte duke qeverisur me vendin.
Madje kjo ishte konfirmuar nga vetë ai, derisa pati theksuar se janë sjellë konform udhëzimeve të organeve kompetente.
Kurse në lidhje me raportimet e mbrëmshme për kërcënime ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të tjera të LDK-së, deputeti Kujtim Shala deklaroi se ka pranuar informacione të kësaj natyre.
“Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së”, tha ai.
Shala gjatë një deklarimi për Dukagjinin tha se atentati është planifikuar për arsye politike, ndërsa në plan për atentat janë të përfshira 2 organizata.
“Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosova derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër të financojë ekzekutimin e këtij plani”, deklaroi tutje Shala.
E në lidhje me këtë, nga Policia e Ksoovës është theksaur se kanë marrë masat e nevojshme në lidhje me këtë rast.