Ish- ministrja e Punëve të jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut ka thënë se respekti për këto viktima të pa fajshme do të bëhet nëse drejtësia do të shkojë në vend, përcjell InLajmi.
Haradinaj-Stublla tha se 15 janari i vitit 99 ishte i ftohtë ku gjithë bota u zgjua me lajmin e tmerrshëm ku vranë civil të pambrojtur e të pafajshëm.
Në atë moment erdhi Ambasadori Walker ku i tregoi botës se çfarë po ndodhë në Kosovë, shkroi ajo.
Postimi i plotë i saj:
DREJTËSIA DO TË JETË NDERIMI I VËRTETË PËR REÇAKUN
Mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999 Kosova dhe bota e mbarë u zgjuan me lajmin e tmerrshëm për vrasjen e 45 civilëve të pafajshëm nga forcat serbe, trupat e pajetë të të cilëve ishin lënë në një rrugë të ngushtë malore jo më larg se 500 metra mbi fshat, krim që e denoncoi para botës Heroi i Reçakut, Ambasadori William Walker.
Në 24 vjetorin e kësaj masakre, teksa nderojmë sakrificën sublime të 45 viktimave që i garanton këtij fshati kapitullin e vet të historisë tragjike të Kosovës, është e dhimbshme të shohim se pranë varrezave në Reçak është vetëm monumenti përkujtimor, por jo drejtësia.
Nderimin e vërtetë në Reçak do t’a bëjmë kur të arrijmë të flasë drejtësia!
Xhaketa ikonike e Ambasadorit William Walker në ditën kur vizitoi vendin e krimit ku ishte kryer masakra e Reçakut gjendet e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë./InLajmi/