Rruga “Xhorxh Bush” në kryeqytet ishte mbyllur për qarkullimin e automjeteve nga 26 nëntori duke u shndërruar në shesh për qytetarët gjatë festave të dhjetorit i quajtur “Tregu i fundvitit”, shkruan InLajmi.
Por, sipas paralajmërimeve ky shesh u hap përsëri për qarkullim. Pra rruga “Xhorxh Bush”, këtë të premte u lirua për qarkullim të autobusëve të Trafikut Urban dhe të automjeteve emergjente, por jo edhe për veturat private.
Bëhet e ditur se në këtë rrugë përveçse nuk lejohet qarkullimi i veturave private, shpejtësia e lëvizjes së autobusëve është e kufizuar në 20 km/h.
Ndërkohë që për mos respektimin e shenjave (ndalesën) në këtë rrugë nga shoferët e veturave private, janë paraparë gjoba jo edhe të vogla.
Sipas zyrtarëve të Drejtoratit të Shërbimeve Publike, para lëshimit në qarkullim, në rrugën “Xhorxh Bush” është bërë shenjëzimi dhe është vendosur sinjalistika dhe shenjat e komunikacionit.
Gjithashtu bëhet e ditur se do të ketë gjoba për ata të cilët shkelin rregullat dhe nuk respektojnë shenjat e komunikacionit.
“Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike në rrugën “Xhorxh Bush”, kemi bërë shenjëzimin dhe kemi vendosur sinajlistikën në rrugë dhe janë vendosur të gjitha shenjat e komunikacionit. Gjithsesi se qytetarët me vetura private duhet ti respektojnë ato. Në rast se qytetarët nuk i respektojnë shenjat e komuniakcionit, atëherë për këto veprime të tyre përgjegjës janë policia e Kosovës të cilët do të marrin masa. Pra policia do të shqiptoj gjoba ndaj atyre shoferëve që nuk respektojnë shenjat”, tha për Gazetën InLajmi, drejtori i Drejtorati për Shërbime Publike Ilirik Musliu, i cili poashtu bëri të ditur se gjobat për mos respektimin e shenjave nga shoferët e veturave private do të shqiptohen gjoba të ”rënda”.
“Në diskutimin e fundit që kemi pasur për këto shkelje është paraparë gjoba prej në vlerë prej 500 euro dhe në të njëjtën kohë edhe marrja e patentë shoferit deri në një vit”, tha Musliu.
Kujtojmë se vendimi i komunës për mbylljen e kësaj rruge nuk ishte pritur mirë nga disa qytetarë e madje duke vlerësuar se kjo do të shkaktonte kaos në komunikacion, por shumë më shumë qytetarë e përkrahën këtë iniciativë derisa shijuan ditët e festës në Sheshin “Tregu i fundvitit”./InLajmi/