Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur rreth zhvillimeve në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se janë bërë 2 vjet prej se presidenti amerikan Joe Biden i dërgoi letër lidershipit kosovar, dhe sipas tij ende janë duke u diskutuar të njëjtat çështje.
“Ekziston dallim i madh në Kosovë sepse kur bëni lojë fjalësh politikisht ose manipuloni me fjalë në procese të tilla, krijoni perceptim jo të drejtë tek publiku. Tash qytetarët nuk e dinë se a është i pranuar dokumenti bazë apo jo, a është i mirë apo jo, çfarë ka në të?”.
Sipas tij, nuk ka kuptim dialogu me Serbinë pa njohje reciproke në qendër të marrëveshjes.
“Pse duhet të negociojmë ne kur në fund nuk të njeh si republikë në kufij dhe nuk ta njeh sovranitetin. Qytetarët me të drejtë pyesin pse duhet të negociohet”.
“Ajo që për herë të parë dialogu është me lakun në qafë, është që po kërkohet statuti i asociacionit të punohet para se të behët një marrëveshje bazë apo një dokument që po njihet si franko-gjerman. Dokument në të cilin janë vendosur vlerat, problemet dhe ofertat eventuale për palët që si i tillë edhe në Kosovë është thënë që është dokument i mirë dhe që e sjellë njohjen”.
“Ne sot jemi 2 vjet pas letrës së presidentit Biden. Ky janar është një vit pas letrës së sekretarit Blinken i cili e ka konfirmuar kërkesën e presidentit Biden. Tani mas 2 vjetëve ne po flasim për të njëjtat çështje Chollet vjen dhe e lexon letrën e presidentit Biden dhe sekretarit Blinken ku kërkohet qe Kosova urgjentisht të hyjë në implementimin e obligimeve të saja që i kanë marrë dhe të mos hezitojë në proces të dialogut”.