Ish-kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka paralajmëruar kolaps në rast se ndodh kjo.
“Qeveria mundet me hjek shujtën prej 44 eurove. Megjithatë do të ketë veprim sindikal. Kurse nëse preken kujdestaritë, atëherë do të mbyllen spitalet”, u shpreh Syla për “Front Online”.
Ai ka sqaruar se sa paguhen mjekët për orët e bëra jashtë orarit të rregullt.
“Me kontratën kolektive, 50 euro bruto paguhet kujdestaria ditëve të punës nga e hëna deri të enjten, 80 të premten, 170 euro të shtunën dhe 100 sosh të dielën. Fjala është për mjekët”.
Kontrata kolektive, ku bazoheshin këto çmime, është shkëputur nga Ministria e Shëndetësisë.
E nënshkruar në vitin 2018, ajo përmbante disa benefite për punonjësit në sektorin e shëndetësisë.
Rregullonte themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, sistemimin e të punësuarve, orarin e punës, pushimet, stazhin e punës, mungesat në punë, rrezikshmërinë në vendin e punës.
Për pasojë të shkëputjes së kontratës është ulur edhe kompensimi për përvojën e punës.
Secili mjek që ka përvojë më pak se 15 vjet do të marrë 0.25% kompensim për vitet e përvojes së punës, kurse ata mbi 15 vjet punë, me 0.5 %.
Kjo vlen edhe për mësimdhënësit, kategori e cila po ashtu preket nga ndalja e shtesave tjera me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.
Planifikohet heqja e shujtës, mbulimi i transportit si dhe heqja pagave jubilare, të drejta këto që i gëzonin me Kontratën Kolektive.
Veçse ajo u shkëput nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar.