Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, komentoi raportimet e fundit të mediave sllovene për aferën milionëshe të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për çka edhe kërkoi shkarkimin e tij raporton InLajmi.
Ish-ambasadorja, tha tutje se prapa ambasadorit Berishaj fshihet lidhje më e thellë e pushtetit me mafian energjetike.
“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga Kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga Kryeministri Kurti”, deklaroi nënëkryetarja.
Çitaku bëri thirrje që kjo aferë të zbardhet deri në fund, që imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej.
“Kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre investiguese si dhe nga institucionet përgjegjëse që z. Berishaj, ta shkarkojnë menjëherë nga detyra e Ambasadorit”, ka thënë Çitaku.
Tutje ajo shtoi se një aferë e tillë i bën dëm imazhit të Kosovës në politikën e jashtme. /InLajmi/